LISTA: 8 lojtarët që kanë dështuar tërësisht pas largimit nga Bayerni

0

Askush nuk do të kundërshtonte nëse do të thonim se Bayern Munich është një nga klubet më të mira në botën e futbollit. Gjigantët gjermanë kanë prodhuar disa nga lojtarët më të mirë në historinë e këtij sporti, duke fituar gjithçka që mund të fitohej falë talenteve të shumtë që ka pasur në përbërje. Fatkeqësisht disa nga këta lojtarë cilësorë nuk kanë qenë në nivelin e duhur pasi janë larguar nga bavarezët, duke treguar se sekreti i suksesit të tyre qëndronte më shumë te tradita e klubit bavarez se sa te aftësitë e tyre. Më poshtë është lista e 8 lojtarëve që kanë zhgënjyer pas largimit nga Bayerni.

MARIO GOMEZ – I përfolur aktualisht për një transferim në Premier League, Gomez u largua nga Bayern për shkak të formës së mirë të kroatit Mario Mandzukic. Sulmuesi gjerman është transferuar në Serinë A te Fiorentina, por nuk është përshtatur asnjëherë, duke realizuar vetëm shtatë gola në kampionat në dy sezone. Dëmtimet kanë qenë arsyeja kryesore e dështimit të tij, por Gomez nuk është grumbulluar as me kombëtaren në Botërorin e 2014-ës dhe nuk ka shënuar për kombëtaren që nga largimi prej kampionëve të Gjermanisë.

MICHAEL TARNAT – Tarnat ka qenë një mbrojtës krahu shumë i vlerësuar gjatë kohës që aktivizohej me Bayernin, madje, ka bërë edhe rolin e portierit për 30 minuta në një ndeshje të kampionatit në sezonin 1999-2000. Skuadra e tij po humbiste 1-0, por në fund fitoi 2-1. Mbrojtësi ka luajtur gjashtë sezone me Bayern, por dëmtimet kanë bërë që ai të humbasë vendin si titullar. Më pas ai ka luajtur një sezon me Manchester City, para se ta mbyllte karrierën te Hannover. Tarnat nuk është grumbulluar më me Gjermaninë pasi është larguar nga Bayern, ndërsa tani është kthyer te klubi ku punon me ekipet e moshave.

XHERDAN SHAQIRI – Lojtari me orgjinë kosovare aktualisht luan në Premier League me ekipin e Stokes. Një hap i ndjeshëm mbrapa për mesfushorin, i cili dukej se kishte një të ardhme shaqiritë madhe përpara me bavarezët. Megjithatë, lojtari i kombëtares zvicerane, ka qenë i pakënaqur me rolin e tij si zëvendësues dhe është larguar nga klubi pas dy vitesh e gjysmë. Shaqiri u transferua tek Interi, por shumë shpejt ka humbur pozicione në hierarkinë e trajnerit Mancini, i cili e ka akuzuar lojtarin për mungesë profesionalizmi. Pas një gjysmë sezoni me zikaltrit Shaqiri është transferuar verën e kaluar te Stoke.

MARIO MANDZUKIC – Më sipër thamë se Mario Gomez është larguar nga Bayern për shkak të paraqitjeve të mira të Mandzukic, por kroati ka patur të njëjtin fund si ish-shoku i tij i skuadrës pasi bavarezët morën Robert Lewandowskin nga Dortmundi. Sulmuesi ka kaluar dy vite të suksesshme me Bayern, duke realizuar 33 gola në 54 ndeshje, por pasi drejtimin e skuadrës e mori Pep Guardiola ai u transferuar tek Atletico Madrid. Aventura e tij në Spanjë ka zgjatur vetëm një sezon dhe tani lojtari luan me Juventusin në Serinë A, ku ka shënuar dy gola në këtë kampionat.

KUFFOUR – Kuffour ka kaluar te Bayern Munich në moshë të re në vitin 1993 dhe ka qëndruar për 12 vite me klubin, duke fituar 17 trofe dhe duke luajtur 175 ndeshje në kampionat. Në moshën 29-vjeçare (2005) ganezi vendosi të largohet nga bavarezët, ndërsa karriera e tij ka qenë në rënie të vazhdueshme pas këtij momenti. Në tre vitet te Roma ka luajtur vetëm në 21 ndeshje, pa harruar paraqitjen zhgënjyese në Botërorin e 2006-ës. Pas huazimeve te Livorno dhe Ajax, ai është tërhequr nga futbolli i luajtur pas një eksperience tremujore me skuadrën ganeze të Asante Kotoko.

GUERRERO – Sulmuesi peruan konsiderohej si një nga talentet më të mëdha gjatë kohës që luante me Bayern Munich, por lojtari ka vendosur të transferohej te Hamburgu në 2006-ën me synimin për të luajtur më rregullisht si titullar. Guerrero, që në kohën e kësaj lëvizjeje ka qenë 22 vjeç, ka luajtur për gjashtë vite me Hamburgun, por nuk ka qenë asnjëherë në nivelet e treguara me Bayern. Që nga ajo kohë, sulmuesi, tani 31 vjeç, ka luajtur në Brazil, në fillim për Corinthians dhe tani Flamengon, por mbetet dyshimi se çfarë do të kishte ndodhur nëse Guerrero nuk do të ishte larguar nga Bayerni.

LUKAS PODOLSKI – Podolski mendohej se do të ishte e ardhmja e sulmit gjerman kur është transferuar te Bayern Munich në 2006-ën, vetëm 21 vjeç. Por lojtari nuk ka arritur të konfirmohet gjatë tri viteve të kaluara në Bavari, duke marrë rolin e zëvendësuesit. Dhe pavarësisht se arriti të fitonte tre trofe gjatë kohës së tij në “Allianz Arena”, gjërat nuk janë përmirësuar që nga ajo kohë. Lojtari, tani 30 vjeç, ka rënë në kategorinë e dytë të Bundesligës me Koln, para se të transferohej tek Arsenali dhe më pas tek Interi. Aktualisht te Galatasaray, Podolski nuk arriti asnjëherë të tregojë potencialin e tij të vërtetë.

LUCA TONI – Duke parë dëmtimet që e kanë kushtëzuar Luca Tonin në këtë sezon me Veronën, ndoshta nuk është e drejtë përfshirja e tij në këtë listë, por nuk ka dyshim se italiani ka pasur shumë vështirësi pas largimit nga Bayern. 38-vjeçari ka luajtur për pesë klube në dy vitet që pasuan largimin nga  gjermanët, duke bërë xhiron e Italisë dhe botës para se të sistemohej te Verona ku sezonin e kaluar fitoi titullin e golashënuesit më të mirë të Serisë A (bashkë me Icardin) me 22 gola të realizuar. / Burimi: Telesport

 

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image