Lipi vendos të largohet nga Kina, Juventusi e pret me krahët hapur

Më 18 prillin e kaluar, në ditën e 70-vjetorit të lindjes, Marçelo Lipi kishte deklaruar se pas tetë viteve të kaluara në Kinë, jeta në Itali nuk i mungonte. Megjithatë dashurinë për mëmëdheun dhe për vendlindjen e tij, trajneri i mirënjohur nuk kishte bërë asnjë plan afatshkurtër për tu kthyer.

Tashmë, kur kanë kaluar ekzaktësisht gjashtë muaj, sipas mediave ndërkombëtare, Lipi ka njoftuar zyrtarisht Federatën Kineze se do të jepte dorëheqjen e parevokueshme. Lajmi erdhi si një rrufe në qiell të hapur. Askush nuk e priste një vendim të tillë nga trajneri.

Por, tashmë në Itali kanë nisur të spekulojnë se pas kësaj zgjedhje të Marçelo Lipit fshihet Juventusi dhe zhvillimet më të fundit në rangun drejtues të kampionëve të Italisë. Largimi i administratorit Xhuzepe Marota, mandati i të cilit përfundon, mund të jetë një arsye që ish-trajneri fitues me “Zonjën e Vjetër” dhe kampion bote me Italinë të mendojë rikthimin në shtëpi. Ndoshta pikërisht si drejtues në radhët e Juventusit, ku presidenti Andrea Anjeli do ta priste me krahët hapur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *