Lillard-CJ McCollum udhëheqin Blazers, 76ers shkërmoqin Raptors

Philadelphia 76ers ka fituar me Toronto Raptors 112-101 dhe ka vendosur baraspeshën në ndeshjen e 6 gjysmëfinale. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Portland Trail Blazers, që mposhti Denver Nuggets me shifrat 119-108. Dy finalistet e konferencave tashmë do të përcaktohen në ndeshjet e radhës.

Jimmy Butler (25 pikë, 8 asiste, 6 rebound), Ben Simmons (21 pikë, 6 asiste, 8 rebound), Joel Embiid (17 pikë, 1 asist, 12 rebound) dhe Tobias Harris (16 pikë, 5 asiste, 9 rebound) bashkuan forcat për t’i dhuruar fitoren 76ers, në një ndeshje që ata e dominuan dhe vetëm në periodën e katërt Raptors shënuan nëntë pikë më shumë. Gjithsesi gjithçka ishte vendosur më parë. Kawhi Leonard (29 pikë, 5 asiste, 12 rebound) dhe Pascal Siakam (21 pikë, 3 asiste, 6 rebound) ishin të pafuqishëm të çonin Raptors në finale pas ndeshjes së gjashtë.

Denver Nuggets e nisi mirë ndeshjen ndaj Portland Trail Blazers, por pas periodës së parë gjithçka foli për vendasit. Damian Lillard dhe CJ McCollum ishin në super formë, teksa shënuan respektivisht 32 dhe 30 pikë. Një dorë ua dha edhe Rodney Hood, i cili ishte autor i 24 pikëve. Në krahun tjetër paraqitje të mira bënë Nikola Jokiç (29 pikë, 8 asiste, 12 rebound) dhe Jamal Murray (24 pikë, 5 asiste, 10 rebound), por në fund dolën kokulur.

NBA | PLAY-OFF (GJYSMËFINALET E KONFERENCAVE)
Philadelphia 76ers-Toronto Raptors 112-101 (3-3)
(29-21; 29-22; 29-24; 25-34)

Portland Trail Blazers-Denver Nuggets 119-108 (3-3)
(26-34; 32-20; 29-26; 32-28)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *