Lilaj mungon edhe dy javë, Daja projekton anti-Teutën

0

Leonard Trebicka

Sabjen Lilaj nuk do të luajë nesër në Durrës, por edhe në ndeshjen e fundjavës ndaj Laçit. Ky është lajmi i keq për trajnerin Ilir Daja, i cili duhet të bëjë llogaritë pa një ndër mesfushorët më të mirë të Skënderbeut dhe të Superligës. Madje, edhe pas Laçit nuk dihet, nëse Lilaj do të rikuperohet dhe ky është një shqetësim serioz në kampin bardhekuq. Korçari konfirmohet si mungesë në ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë me Teutën , ndërkohë që nuk ka mundur të riaftësohet as Hektor Idrizaj. Dy ditë para përballjes me Korabin kujtojmë që Lilaj tentoi të bashkohej me grupin, por kjo ka rezultuar fatale. Lojtari ndjeu dhimbje në momentin, kur nisi ngarkesën dhe ndaloi menjëherë. Gjatë këtyre ditëve ai ka vijuar terapitë me mjekun e skuadrës dhe kështu do të vijojë deri në fundjavë. Me shumë gjasa, në fundjavë Lilaj do të bëjë një tjetër ekzaminim në spitalin “Salus”, në kryeqytet, për të parë çfarë po ndodh me gjurin e këmbës së djathtë. Disa javë më parë, në një përplasje me Vangjelin, Lilaj e pësoi këtë dëmtim dhe u tha se do të mungonte vetëm 7 ditë, por kanë kaluar 3 javë dhe ka humbur plot 4 ndeshje. Edhe 2 ndeshjet e radhës nuk do të luajë, duke e vënë në vështirësi trajnerin Daja. Gjatë kësaj periudhe nuk ka zhvilluar asnjë seancë, por vetëm terapi. Së pari duhet të rikuperohet dhe më pas të rifitojë formën sportive.

 

FORMACIONI – Me 2 mungesat e Lilajt dhe Idrizajt, Daja ka filluar të projektojë formacionin për nesër ndaj Teutës, ndeshje që luhet në “Niko Dovana”. Për këtë ndeshje trajneri Daja do të ketë të plotë mbrojtjen, pasi rikthehen Osmani dhe Mici, të cilët nuk luajtën ndaj Korabit për shkak kartonësh. Në Durrës Skënderbeut i mjafton edhe barazimi, por Daja nuk ka ndërmend të luajë i tërhequr. Kampionët do të luajnë me skemën 4-3-2-1, ku në portë është Shehi, në mbrojtje Vangjeli, Mici, Radas dhe Jashanica, Osmani kthehet në mesfushë, ku përpara tij do të jenë Xhejms dhe Orelesi, dhe në sulm Gavazaj, Latifi dhe Salihi. Ky pak a shumë është formacioni i Skënderbeut për ndeshjen e nesërme në Durrës. Por duhet theksuar se gati për trajnerin Daja janë edhe Muzaka, Gripshi, Nimaga, Ogunxhimi, Predesku e ndonjë tjetër. Gjithsesi, sot është seanca e fundit stërvitore, që do të mbyllë përgatitjet dhe formacionin e Skënderbeut.

Formacioni i mundshëm i Skënderbeut
Shehi – Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici – Osmani, Xhejms, Orelesi, Gavazaj, Latifi -Salihi

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image