Lila: Kombëtarja më lë pa gjumë, të rinjtë kanë kualitet

Andi Lila është lojtari që numëron më shumë ndeshje me kombëtaren dhe doli në konferencë së bashku me trajnerin Kristian Panuçi. Ai flet fillimisht për emocionet që ka kur ftohet nga kombëtarja, ndërkohë që më pas analizoi Izraelin, të rinjtë e afruar, si dhe komentoi faktin që kombëtarja së fundmi ka pasur shumë lojtarë që kanë mbajtur shiritin.

“Jam që në 2007 me Kombëtaren. Kur vjen ftesa, mund të marr shembull herën e fundit, që një natë para nuk më ka zënë gjumi. Ardhja këtu është gjëja më e bukur që i ndodh një futbollisti. Si para 11 vitesh, edhe herën e fundit uroj të jap më të mirën time. Ky zjarr që kam brenda meje uroj të vijojë dhe kjo dashuri që kam për fanellën të shkojë dhe më para”, u shpreh fillimisht kavajasi, i cili luan në Greqi me Pas Janinën.

IZRAELI – “Forca jonë është grupi dhe nëse luajmë në grup, atëherë them se ndaj Izraelit do të jetë në favorin tonë, siç ndodhi një vit më parë kur fituam. Uroj të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të fitojmë e të jemi të parët në grup. Gjithnjë kemi pasur shpirtin e garës që na ka karakterizuar. Kemi ndeshjen me Jordaninë si fillim dhe më pas do të shohim për ndeshjen me Izraelin. Do të shohim për një rezultat pozitiv”.

SHUMË KAPITENË – “Të them të vërtetën kam shumë respekt nga të gjithë Kapitenët, por në kombëtare nuk është mbi gjërat e tjera. Lojtarët janë të gjithë njësoj dhe uroj që çdokush të bëj më të mirën e tij në fushë, qoftë kapiten apo jo. Edhe në stërvitje nuk duhet të ketë diferenca, pasi është shumë pak kohë. Duhet të tregojmë veten dhe më të mirën tonë”.

TË RINJTË  – “Çdo lojtar i ri që vjen mendoj se nuk ndjen asnjë lloj presioni, pasi ne që jemi me më shumë eksperiencë kemi qenë afër. Jemi të gjithë shqiptar, nuk ka diferenca. Të bëjmë më të mirën për njëri-tjetrin e të japim më të mirën në fushën e lojës. Lojtarët që kanë ardhur janë me shumë kualitet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *