Lika shkund Luftëtarin, shumë gabime në mbrojtje e sulm

Drejtuesit e ekipit gjirokastrit mezi po presin merkaton për të bërë plotësimin e grupit, ndërkohë që i gatshëm do të jetë edhe sulmuesi Vasil Shkurtaj  

Gëzim Beqiri

Nga dje futbollistët e Luftëtarit kanë filluar përgatitjet për takimin e ardhshëm, që në bazë të kalendarit do të luajnë ditën e diel në fushën e Kamzës. Ajo që përbën shqetësim për skuadrën gjirokastrite është se disa futbollistë të formacionit janë të dëmtuar dhe janë stërvitur në mënyrë të pavarur. Beqiri, Aleksi dhe Toledo kanë kryer vetëm vrapime të lehta, ndërsa të tjerët e kanë përfunduar stërvitjen pak kohë më parë se grupi tjetër. Rikuperimi i tyre është i mundur të bëhet brenda javës dhe trajneri Hasan Lika pret t’i ketë të gatshëm për transfertën e Kamzës. Nëse dëmtimet fizike konsiderohen të kapërcyera, stafi teknik po punon për eliminimin e disa mangësive në mënyrën e të luajturit, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Përpara fillimit të stërvitjes ekipit i janë vënë në dukje të metat e konstatuara në takimin me Flamurtarin, por të shfaqura dukshëm edhe në shumë takime të tjera, duke u kujtuar jo vetëm rastet e shpërdoruara në sulm, por edhe gabimet elementare në mbrojtje. ”Duket se po  trembeni të gjuani për të shënuar golin, por edhe në mbrojtje, si edhe në shumë takime të tjera, po humbisni vigjilencën. Ndaj Flamurtarit mund ta kishim pësuar që në fillim dhe do të ishte një gol identik me atë që pësuam në Shkodër”, – u është thënë përveç të tjerave futbollistëve nga pjesëtarët stafit teknik. Një fitore ndaj Kamzës, nisur edhe nga kalendari i ndeshjeve të tjera, bën që Luftëtari të afrohet shumë me pikë me rivalët, që ndodhen në mesin e tabelës së klasifikimit.

MERKATO – Nga mungesat e disa futbollistëve, pasi merkatoja nuk përfundoi siç ishte menduar, te Luftëtari mezi po presin përfundimin e gjysmës së kampionatit për të bërë plotësimin e duhur të grupit. Në gjysmën e dytë të kampionatit pritet edhe aktivizimi i sulmuesit Vasil Shkurtaj, i cili vazhdon stërvitjen me këtë skuadër, por nuk mund të aktivizohet, sepse nuk është federuar. Presidenca dhe drejtuesit e klubit janë deklaruar se do të futen fuqishëm në merkato, por detyra për ekipin është që të grumbullojë sa më shumë pikë në ndeshjet e mbetura të këtij viti. Jo vetëm me Kamzën, por edhe më pas me Partizanin dhe Skënderbeun në Gjirokastër, si dhe Kukësin e Lushnjën në në transfertë, nga gjirokastritët do të kërkohen me ngulm rezultate pozitive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *