Lika: Partizani favorit, por Kukësi nuk është rastësisht i pathyeshëm

0

Jurgen Zela

Është cilësuar si finalja e këtij edicioni takimi i nesërm mes Partizanit dhe Kukësit. Normalisht që rezultati i kësaj sfide do të jetë mjaft vendimtare për fatet e këtyre skuadrave dhe i këtij mendimi është dhe trajneri Hasan Lika. Së fundmi trajneri i njohur kontribuoi për Kukësin në fitimin e Kupës, ndërsa më parë ka qenë pjesë e Partizanit për një kohë më të gjatë, duke bërë dhe atje mjaft mirë. Për “Sport Ekspres”, Lika analizon këtë takim duke treguar se Partizani vjen si favorit në këtë takim për shkak se luan në shtëpinë e tij. Kush e meriton titullin? Për Likën të dyja këto skuadra e meritojnë, për atë që kanë dhënë në fushën e lojës.

Luhet Partizani-Kukësi, keni kontribuuar për të dyja këto skuadra, si e shihni këtë takim?

Do të jetë një ndeshje përcaktuese për ecurinë e të dyja këtyre skuadrave, pavarësisht se do të ketë dhe të tjera takime më pas, të cilat gjithashtu duhen konkretizuar me sukses. Një rezultat pozitiv për të dyja këto skuadra do të ishte një hap mjaft i madh.

Cila skuadër vjen më e favorizuar dhe sa vendimtar është ky takim?

Në këtë takim më i favorizuar vjen Partizani, duke qenë se luan në shtëpinë e tij. Si Partizani dhe Kukësi do të kërkojë rezultatin që do i siguronte një ecuri më të qetë deri në fund. Nëse do të japin maksimumin dhe në ndeshjet e tjera, pasi do të sfidojnë dhe Skënderbeun dhe ekipet që synojnë mbijetesën.

Cilat mund të veçoni si pikat më te forta tek këto dy skuadra?

Të dyja këto skuadra funksionojnë mjaft mirë si grup, në kompleksitet. Partizani është një skuadër e fortë dhe ata që bëjnë diferencën në sulm dhe në mesfushë. Kukësi është një skuadër më ndryshe, pasi vetëm ka fituar dhe ka barazuar, çka ka formuar një psikologji tjetër. Në mënyrën e lojës është më ndryshe se Partizani. Ka një lojtar si Pejiç që ka qenë gjithnjë përcaktues për rezultatin e skuadrës.

Mund të vendoset fati i këtij takimi nga trajnerët?

Ndeshje të tilla përveç impenjimit të futbollistëve është e rëndësishme dhe nga udhëzimet taktike të trajnerëve. Nuk besoj se do të ketë ndonjë gjë të veçantë, pasi nuk do të ndryshojnë natyrën e lojës që kanë bërë deri më tani. Gjatë ecurisë së lojës, të dy janë trajnerë që mund të bëjnë diferencën, duke marrë parasysh këtu dhe me lojtarët që kanë në dispozicion. Si Partizani, ashtu edhe Kukësi, kanë elementë cilësor dhe në stol. Diçka tjetër pozitive është se të dyja këto ekipe kanë ditur të kapërcejnë dhe vështirësitë. Më shumë Kukësi pasi nuk është mundur, por dhe Partizani ka reaguar, si me lojë ashtu dhe me rezultat. Në krahasim me skuadrat e tjera kanë ditur që të marrin rezultate pozitive, kanë arritur që të përmbysin. Këtu duket roli i trajnerëve.

Kush mendoni se mund ta vendosë këtë takim, eksperienca e Pejiçit, apo energjia e Ekubanit?

Në ndeshjet e tilla sigurisht që gjithkush shpreson tek eksperienca, ndërsa dikush duke mos pasur eksperiencën e synon përmes energjisë dhe vrullit të rinisë dhe dëshirës. Pavarësisht se mund të jetë ndonjë individ që mund ta zgjidhë ndeshjen, trajnerët do e bazojnë lojën tek loja kolektive. Një lojë e mirë e çon dhe individin drejt suksesit. Individi është i rëndësishëm, pasi në momente të caktuar bën dhe diferencën.

Kujt do i leverdiste më shumë barazimi, Kukësit apo Skënderbeut?

Besoj se do të favorizonte Kukësin dhe Skënderbeun, por vetëm për momentin, megjithatë nuk besoj se do e largonte Partizanin nga lufta për titull. Mos të harrojmë që ka dhe ndeshje të tjera pas kësaj, nuk mbaron kampionati këtu.

Fitorja e njërës e nxjerr tjetrën nga gara?

Do të ishte tjetër situatë, do të jetë më ndryshe.

Titull në Kukës apo në Tiranë?

E meritojnë që të dyja që të dalin kampion, me ecurinë që kanë bërë. Ecuria e tillë ka qenë. E meritojnë ta fitojnë titullin, por në fund vetëm njëra del kampion.

Sa do të ndikojë pathyeshmëria tek Kukësi?

Besoj se do të jetë një plus për Kukësin, pasi deri në këtë pikë i ka shërbyer. Statistikat janë të rëndësishme, por kjo është një ndeshje e veçantë. Statistikat janë për t’u thyer dhe për tu çuar më lart.  

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.