Lika: Na mbyt presioni i rezultatit, turp kush ofendon lojtarët në stadium

Kapiteni kuqeblu kërkon mbështetjen e opinionit sportiv shkodran, për të larguar negativitetin që ka pushtuar skuadrën

Gaspër Marku

Për kapitenin e Vllaznisë, Gilman Lika, me fitoren e arritur ndaj Laçit, kuqeblutë kanë bërë një hap mjaft pozitiv në luftën për mbijetesë. Gjithsesi, teksa analizon këtë ndeshje, Lika pranon se edhe pse thuajse për 90-të minuta, kuqeblutë luajtën me një lojtar më shumë, në pjesën e dytë u vunë jo pak në vështirësi nga Laçi. Dhe, kjo sipas tij, vjen nga efekti psikologjik, pasi skuadra është e mbërthyer në një tension të paparë për marrjen e rezultatit pozitiv. Në prononcimin e dhënë posaçërisht për “Sport Ekspres”, Lika bën të ditur se një gjë e tillë vjen edhe nga presioni aspak dashamirës që grupe tifozësh kuqeblu të vendosur në tribunën e “Loro Boriçit”, të cilët pa filluar ndeshja lëshojnë sharje dhe ofendime ndaj futbollistëve të skuadrës së tyre. Përpos kësaj, Lika flet edhe “incidentin” me Shtubinën në fushën e lojës, duke e akuzuar atë që kërkoi të simulonte për të marrë penallti në favor të Laçit. Për pjesën e mbetur të kampionatit, Lika thotë se Vllaznia ka pesë finale të vështira, në të cilat do të triumfojnë, duke nisur nga kjo e fundjavës me Flamurtarin në transfertë.

-Kapiten, tre pikë qetësie këto për ekipin e Vllaznisë?

Nuk mund të them se janë pikë qetësie, për vetë pozicionin që jemi. Thjesht për të marrë pak frymë. Duke e parë se si është situata, çdo ndeshje tashmë është finale për ne.

-Ndryshe nga javët e fundit që kishte edhe ndonjë kritikë ndaj jush, me Laçin ishit protagonist i takimit, jo vetëm tek marrja e penalltisë, por edhe në shërbime të tjera ndaj skuadrës…

Ne për çdo ndeshje mundohemi të japim maksimumin. Edhe  personalisht përpiqem të jam maksimumin tim në shërbim të skuadrës. Normalisht, që ne jemi njerëz, dhe jo gjithmonë mund të jesh në formën e duhur sportive. Jam i kënaqur me atë që unë dhashë në këtë ndeshje, por edhe çfarë dha ekipi në përgjithësi. Normalisht, që duhet edhe më shumë, kishim shumë raste, duhet t’i kishim shfrytëzuar më tepër. Por e rëndësishme është që morëm trepikëshin.

-Çfarë ndodhi në pjesën e dytë, që Laçi, edhe pse me një futbollist më pak mori iniciativën dhe ju vuri në vështirësi?

Ishte vërtet shumë problematike për ne, duke parë që ishim edhe me një lojtar më shumë. Kjo tregon gjendjen psikologjike ku për momentin është skuadra. Normalisht, nuk ka mundësi që Laçi me një lojtar më pak, të qarkullojë topin aq shumë. Për mua, personalisht me aq sa e njoh futbollin, nuk duhet të ndodhë kjo gjë. Por, e gjej justifikim sepse të them të drejtën, skuadra është shumë e rënduar nga ana psikologjike.

– Ka pasur jo pak diskutime për formacionin e ndeshjes me Laçin, mendoni se ndikuan për mirë?

Për rastin “Orelesi” tashmë janë dhënë edhe sqarimet e duhura. Ne jemi shumë lojtarë me nga tre kartonë dhe normalisht profesori ka menduar edhe për ndeshjen tjetër në Vlorë. Imagjino sikur të kishim marrë kartonë në ndeshjen me Laçin, atëherë do të kishim qenë tre-katër lojtarë mangët, në ndeshjen e radhës me Flamurtarin.

-Në fushë skuadra ndjehet më mirë me dy sulmuesit njëherësh, Sukaj dhe Ribaj, apo herë njëri dhe herë tjetri?

Mendoj se jeni duke më bërë pyetje të vështira(qesh…). Por, dua të them diçka tjetër, sepse është shumë problematike dhe skuadra është duke vuajtur shumë. Besoj se shumë njerëz vijnë në stadium dhe janë të revoltuar. Të gjithëve do t’u bëj thirrje që skuadra në këtë moment. Nuk ka nevojë të them shumë gjëra. Është shumë-shumë e rëndë që të vijë tifozi dhe të shajë lojtarët tanë. E kuptoj se një qytetar shkodran, nuk e bën një gjë të tillë. Jam i bindur, por kushdo të jetë, prej ngado që të vijë ky njeri, është i mirëpritur në Shkodër. Por, nuk do të thotë që të vijë në stadium dhe të shajë lojtarët tanë. Me shumë mirëkuptim, kushdo cili është ai person, i them “Pa filluar loja mirë shan lojtarët tanë nga tribuna. Kjo nuk mundet me ndodhë”. Është një mesazh imi, në këtë rast edhe në emër të skuadrës si kapiten, që lojtarët tanë nuk mundet t’i shash në këtë moment. Me shumë mirënjohje, i them që nuk është momenti për të sharë lojtarët tanë.

-Rasti Shtubina, çfarë ndodhi në fushën e lojë?

Asgjë nuk ndodhi. Ne jemi shokë, kemi luajtur bashkë, por si shkodran i thashë që edhe ne kemi luajtur kundra Vllaznisë, dhe ndoshta kemi dhënë edhe maksimumin. Por, nuk i takon një shkodrani të vijë dhe të simulojë në Shkodër. Po ta merrte me meritë penalltinë, “bravo i qoftë”. Ai rast ishte 100 përqind simulim, pasi isha shumë afër aksionit. Prandaj, këtë i thashë që ty nuk të takon me simulu, sepse me meritë bravo të qoftë, fitojë ndeshjen. Nuk kishte gjë tjetër.

-Sikur u rrit edhe pak presioni me përfshirjen e Malotës në vazhdim…

Jo, jo nuk kishte ndonjë gjë personale. Nuk kishte asgjë më tepër. N  jemi shokë, por për momentin ishte ajo që u pa në fushën e lojës.

-Barazimi në Durrës, si u pa nga ana juaj?

Normalisht po të shikosh se si është edhe futbolli shqiptar, ne na interesonte të fitonte edhe Teuta. Do të ishim të tre ekipet, aty-aty. Por, edhe barazimi, mendoj se është një rezultat i favorshëm për ne.

-Në vazhdimësi, si i shikon Lika betejat e ardhshme të Vllaznisë?

Finale. Çdo ndeshje finale dhe shpresojmë të marrim maksimumin që në Vlorë këtë javë.

-Për tre pikë në Vlorë, apo edhe me një barazim do të ishit të kënaqur?

Ne do të shkojmë në Vlorë për të marrë trepikëshin, por do të shohim ndeshjen në vazhdimësi. Për ne çdo ndeshje është jetike dhe nuk kemi se si të mendojmë ndryshe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *