Lika flet hapur: Shkodra ka pak probleme me Partizanin, i frikësohem kësaj pjese

Vllaznia ka gjetur rrugën e duhur ndeshjet e fundit dhe momentalisht udhëheq me pikë të barabarta së bashku me Bylisin, Teutën dhe Skënderbeun. Madje ndeshjen e fundit kanë arritur që të mposhtin edhe pretendentët e Kukësit. Kjo fitore i ka rritur shumë psikologjikisht shkodranët dhe këtë e konfirmon edhe Gilman Lika.

Sulmuesi shkodran, në një prononcim për “RTSH”, ka folur mbi ecurinë e klubit, si dhe për kundërshtarët e radhës në kampionat, Partizanin, duke kujtuar edhe të shkuarën me ta. Gjithashtu futbollisti i Vllaznisë është ndalur edhe te trajneri Jonuz, për të cilin thotë se ka një meritë të madhe në këto paraqitje të realizuara deri tani.

“Janë marrë tre pikë shumë të rëndësishme në përballjen me Kukësin. Ne e dimë që qyteti ynë ka pak probleme me Partizanin dhe i druhemi disi kësaj pjese. Kjo ndeshje duhet të merret si e radhës dhe ne duhet ta mendojmë hakmarrjen vetëm në fushën e lojës. Gjithashtu dua të them edhe për lojtarët, që të qendrojmë me këmbë në tokë.

Sa i përket Jonuz, trajneri ka shumë dorë në arritjet e deri tanishme, pasi ka arritur t’i marrë maksimumin lojtarëve”, ka thënë Gilman Lika./Sport Ekspres/