Lika: Dëmtimet na shtuan vështirësitë, na duhen përforcime

Trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, ka mbetur i kënaqur nga barazimi kundër Flamurtarit, por ndërkohë e pranon që skuadra e tij ka probleme dhe i duhen përforcime.

“Rastet e shumta? Është pak me natyrë individuale për t’i zgjidhur situatat. Lojtarët kanë merita kur i zgjidhin situatat, por kemi punuar shumë në stërvitje që të jemi më të saktë para porte, siç ishte Bregu te goli. Krijojmë gjithnjë shanse për të shënuar, por nga ana tjetër bëjmë gabime në aspektin mbrojtës, edhe për meritë të kundërshtarit, që ka lojtarë me cilësi. Gjithsesi, sot e shoh barazimin me nota pozitive, nuk është e lehtë të marrësh pikë dhe të krijosh lojë ndaj Flamurtarit.

“Dëmtimet? Falënderoj futbollistët që dhanë maksimumin në fushë. Kapiteni Beqiri pësoi një dëmtim para ndeshjes dhe me ndihmën e stafit mjekësor u bë e mundur që të luante, edhe pse jo në formën maksimale, edhe pse luajti shumë mirë, duke shfrytëzuar eksperiencën e tij. Rroca gjithashtu sakrifikoi, ka pasur dëmtim, nuk është stërvitur rregullisht dhe përballoi aq sa mundi ndeshjen. Edhe Aleksi kishte dëmtim dhe nuk e zëvendësova sepse ai ka forcë për të përballuar sforcimin. Morëm një pikë me vuajtje dhe besoj se kemi meritë në këtë drejtim.

Rastet për shënim dhe gjuajtjet e pakta në kuadrat? Skuadra është e ngarkuar psikologjikisht, një farë frike për rezultatin skuadra e ka, aq më tepër që kemi shumë lojtarë të rinj në moshë e pa eksperiencë. Krijojmë shumë, por na mungon konkludimi i rasteve. Sot ndoshta më shumë se herë tjetër pasimi i fundit nuk ka qenë cilësor dhe skuadra ka nevojë të përmirësohet në aspektin mbrojtës. Nuk kemi alternativa aq cilësore sa duhen, na duhen përforcime urgjente, sepse me kontingjentin që kemi është e vështirë, me kampionatin që është i gjatë dhe mund të kemi dëmtime e pezullime. Në janar do të shohim, për lojtarë nga kampionati ynë, ose nga jashtë, presidenti na ka premtuar se do të afrojmë lojtarë.

“Pësimi i golit me lehtësi? Duhej kujdes te krosimi i topit në rastin e golit, si mbrojtësit duhej të ishin më të saktë në vendosje, edhe portieri. Edhe në një rast tjetër gabuam dhe Toledo me zgjuarsi evitoi një situatë të rrezikshme. Janë mungesa përqendrimi, nga një skuadër me mbrojtje shumë të re në moshë, por janë lojtarë që po rriten, si Toledo, që është i ri dhe po fiton eksperiencë, Rapo është mesfushor dhe luan në mbrojtje për shkak se nuk kemi alternativa. Në rastin e golit ka pasur vonesë reagimi si nga Toledo, ashtu edhe nga Ramadani, mund të bëhej diçka më shumë për të mbuluar kundërshtarin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *