Ligue 1/ PSG planet tjetër, garë e egër për top 3

Sot në mbrëmje nis kampionati francez dhe sfida e parë luhet në Velodromme, ku Olimpiku i Marsejës do të presë Tuluzën. Sfidë e lehtë në letër për Marsejën, që në 41 përballje shtëpiake ka humbur vetëm 4 herë ndaj Tuluzës, skuadër që mbijetoi vetëm në play-off sezonin e fundit.

Gjithsesi, Marseja nuk është pretendente për titull këtë sezon dhe kjo nuk është ndonjë surprizë. PSG mbetet pronari i Ligue 1 dhe titulli i tetë rresht duket një bast i sigurt, po aq sa triumfi i Bajernit në Gjermani.

Tomas Tuhel ka marrë drejtimin e parizienëve, që nuk e vrasin shumë mendjen për kërcënimet e UEFA-s dhe vijojnë me përforcime madhore. Nejmar e Mbape nuk preken, edhe pse mediat në Spanjë shkruan romane të gjata rreth kalimit te Reali. Xhixhi Bufon do të shtojë ndjeshëm eksperiencën dhe do të kërkojë triumfin e parë në karrierë në Champions League, pas dështimeve pa fund me Juventusin. Triumfi 4-0 ndaj Monakos në Superkupën e Francës tregon se hendeku po rritet.

Pas PSG-së është Lioni ekipi më i kompletuar. Nëse Nabil Fekir nuk largohet, do të jetë një sinjal i qartë se në Lion e kanë seriozisht dhe do të mundohen të shqetësojnë PSG-në, sepse skuadra është cilësorë dhe sulmi mjaft i talentuar.

Monako ka rinisur ciklin dhe pas triumfit të pabesueshëm vjet, duke fituar titullin, tashmë skuadra po rindërtohet. Shitja e Lemar dhe Fabinjos është sinjal i qartë se Monako nuk ka më eksperiencë dhe forcë për të bërë surpriza, por shpresat për të kapur vendin e tretë janë realiste.

Marseja e mbylli në vendin e katërt vjet dhe shkoi deri në finalen e Europa League, ndërsa tani shpreson të hedhë një hap më lart. Klubi ka mundur të evitojë largimet, por i duhet një sulmues cilësor dhe Mario Baloteli mund të jetë zgjidhja e halleve.

Më poshtë, hendeku është i madh dhe zor se ndonjë ekip mund të garojë për top4. Sent Etieni ka punuar mirë në merkato dhe më në fund po po harron hallet e viteve të fundit, aq sa tashmë synon Europën. Rena e drejtuar nga Sabri Lamushi duket sërish skuadër mjaft kërcënuese, edhe pse janë larguar dy emra të rëndësishëm si Hazri dhe Njanjo. Bordoja ka bërë punë të shkëlqyer me Gustavo Poje në drejtim, sepse në pjesën e dytë të sezonit të shkuar kaloi nga fundi i tabelës direkt e në Europa League, por këtë verë nuk është blerë ende askush dhe ish-trajneri i Totenhemit mund ta humbasë durimin. Nanta është tashmë pa Klaudio Ranierin, por drejtimin e ka marrë Migel Kardoso, i cili udhëhoqi Rio Aven drejt vendit të pestë në Portugali sezonin e shkuar dhe skuadra ka disa lojtarë cilësorë, ndaj shpresat për Europë ekzistojnë ende.

Nica është në një pozicion delikat dhe pas largimit të trajnerit Lysien Favre, trajneri i ri Patrik Vieira ka ndërmarrë përsipër një mision tepër delikat. Janë larguar emra me peshë si Seri, Le Marshand dhe Plea, boshti i ekipit, si dhe pritet të largohet edhe Baloteli, ndaj mesi i tabelës duket maksimumi i mundshëm pa blerje. Edhe Lila mbetet emër i madh që nuk ka forcë të bëjë merkato dhe sërish mesi i tabelës do ishte arritje e madhe. Më poshtë, të gjithë luftojnë për mbijetesë në fillim dhe askush nuk ëndërron shumë. Megjithatë, si zakonisht do të kemi surpriza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *