Liga ndërkombëtare, Kosova, Shqipëria e Beogradi sipas Canës!

0

Lorik Cana ka folur për gjithçka, nga Liga Ndërkombëtare, te karriera si trajner, pse jo ndoshta te Kosova, momenti historik me Shqipërinë, por edhe ngjarjet e 14 Tetorit 2014 në Beograd. Rrëfimin e tij për studentët në Prishtinë, Lorik Cana e nisi nga starti i karrierës si futbollist. Mundësia e vetme që kishte.

Lorik Cana: “E kam pasur prej fillimit zgjedhjen për tu bërë sportist. Duke parë që babai im ka qenë futbollist, ai më tha që do të bëhesha unë i tillë. Pra do të bëhesha ose futbollist… ose futbollist. Nuk kisha asnjë mundësi tjetër. Por, për të qenë i suksesshëm, sidomos në sport, duhet ta kesh pasion. Unë jam i apasionuar pas futbollit.”

Lorik Cana sqaroi edhe situatën e tij  prej largimit nga futbolli. Ish-kapiteni kuqezi pranoi se kjo zgjedhje u kushtëzua nga problemet shëndetësore, ndërsa pas kualifikimit të Shqipërisë në Kampionatin Europian, vendimi ishte më i lehtë.

Lorik Cana: “Po më pyesin, përse e kam lënë futbollin kaq herët. E kam ndërprerë, edhe pse zyrtarizimin e largimit ende nuk e kam bërë. E kisha bërë në plan që të largohesha pas Europianit. Nuk është se ishte zgjidhja ime, por kisha disa probleme shëndetësore, të cilat nuk më lejojnë të praktikoj sportin në nivele të larta. Në momentin që e kisha arritur qëllimit të kualifikoja Kombëtare, vendosa ta mbyll me futbollin, sepse njeriu ka disa gjëra më të rëndësishme siç janë shëndeti apo familja.”

Përveç projektit me Fondacionin Humanitar, Loriku po mendon edhe për të ardhmen të lidhur me futbollin, me kurset për trajner dhe drejtues. Ai la të hapur edhe mundësinë që një ditë të drejtojë përfaqësuesen e Kosovës.

Lorik Cana: “Prej disa javësh në Shqipëri po vazhdoj kursin për trajner, edhe pse ky nuk është qëllimi im. Gjithashtu në administratën sportive, për tu bërë drejtues. Si e vlerësoj Kombëtaren e Kosovës? Përfaqësuesen… Ka një ekip shumë cilësor, që po rritet dhe po merr eksperiencë. Vetëm kur shoh mesfushën apo sulmin që e ka Kosova, mendoj që e ka edhe më të mirë se Kombëtarja shqiptare. Nëse një ditë do të kem dëshirën për të qenë trajner dhe më bëhet oferta, nuk ka asnjë arsye për të qenë trajner i Kosovës, përse jo…”

Liga e përbashkët ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës mbetet një dëshirë e të gjithëve, ashtu siç do të ishte përfaqësuesja mbarëkombëtare. Por, fillimisht për Canën duhet punuar që të krijohen kushtet si në shtetet perëndimore.

Lorik Cana: “A mendoni që mund ta realizojmë një ligë kombëtare të futbollit të përbashkët. 90 për qind e njerëzve mendojnë që mund ta bëjmë. Unë kam qenë i mendimit që përfaqësuesja të ishte një e përbashkët dhe e di që pjesa më e madhe mendojnë në këtë mënyrë. Por, kjo është dytësore. Kryesore është që duhet të punojmë fort, për të krijuar kushtet si janë në perëndim.”

Loriku rikujtoi edhe dhunën e 14 Tetorit 2014 në Beograd. Ngjarje e kujtuar mes batutave, por edhe duke evidentuar ato që sipas ish-kapitenit ishin arsyet e vërteta të skenave të paprecedentë.

Lorik Cana: “Të gjithë kundërshtarët i kam parë si armiq, për kë e keni fjalën? A për Beogradin?! Ata janë shumë armiq… Situata ka dalë jashtë kontrollit, sepse ka ardhur dita që serbët, të cilët shqiptarët i konsideronin si një “racë më inferiore”, tashmë erdhi dita që të përballeshim si të barabartë me ta. Ne që kemi qenë gjithmonë të shkelur: qoftë në sport apo në kulturë. E kishin më shumë nga inati. Aty dolën jashtë kontrollit. Më pas erdhi banderola, erdhi flamuri. Sapo panë ngjyrat kuqezi e gjetën arsyen për të hyrë në fushë. Në atë moment ne reaguam në mënyrë spontane sepse brenda ekipit tonë jemi të gjithë si vëllezër. E kemi treguar në fushë që ndihemi si vëllezër.”

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here