Lici: Nuk mund të jap një datë fikse kur mund të fillojmë stërvitje

Situata te Vllaznia nuk është aq e lehtë sa mendohet. Klubi ka hyrë në fazën e shqyrtimit dhe përzgjedhjen e kandidaturave për drejtor sportiv dhe rolin e trajnerit. “Sport Ekspres” kontaktoi me administratorin Suad Lici dhe e pyeti në lidhje me mbarëvajtjen e punës te skuadra shkodrane.

“Për momentin nuk mund të them diçka konkrete. Jemi në fazën e përzgjedhjes së njerëzve dhe kandidaturave për rolin e drejtorit dhe trajnerit. Një fazë shumë e vështirë dhe punë voluminoze. Nuk është aq e lehtë sa e mendojnë njerëzit, pasi kemi mbi shpatulla fatin e Vllaznisë”, -shprehet fillimisht Lici.

I pyetur në lidhje me kërkesat dhe afrimet, ai tregon se ka patur shumë interesim. “Ka patur shumë interesim dhe prurje në klub. Ju nuk mund ta imagjinoni se sa kandidatura na kanë ardhur. Emra konkretë? Nuk do të ishte e ndershme që unë të shprehesha dhe të evidentoja ndonjë emër në lidhje me kandidatët e tjerë që janë në garë”, – tregon administratori.

I pyetur në lidhje me çështjen delikate se kur do të nisë Vllaznia nga puna, Lici tregon se nuk ka një datë fikse. “Nuk mund të them një datë fikse, pasi jemi në fazën përzgjedhëse për momentin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *