Licencimet, Eduard Gjini mesazh të qartë Tiranës e Flamurtarit

Licencimi i klubeve është një kampionat më vete. Pa “OK”-in e UEFA-s asnjë klub nuk merr pjesë në Kupat e Evropës. Kriteri financiar është më i rëndësishmi, por duhen plotësuar edhe kriteri infrastrukturor, ligjor dhe administrativ. Eduard Gjini, shefi i Sektorit të Licencimeve në FSHF, flet për këtë proces të rëndësishëm për klubet tona.

“FSHF-ja ka përcaktuar qartë të gjitha kriteret dhe ua ka shpërndarë klubeve. Janë 5 kritere. Të gjitha skuadrat kanë marrë pjesë në workshopet dhe atje janë sqaruar për mënyrën se si do të plotësohet dosja përkatëse. Duke pasur parasysh situatën, Federata së bashku me ekspertin financiar ka bërë takime dypalëshme me të gjitha klubet. Situata e sivjetshme mund të ndryshojë, dhe janë dosjet që do të sjellin klubet dhe ekspertët që do të vendosin skuadrat të cilat do ta marrin licencën, dhe ato që do të penalizohen. Tirana dhe Flamurtari janë klubet që kanë më së shumti probleme borxhesh. Rrugëzgjidhja është një”, kështu tha Gjini në emisionin “Zona Gol”  që transmetohet në Supersport 2.

“Kriteret ndryshojnë sipas kategorive. Problemi i Tiranës mund të zgjidhet. Tirana ka vetëm një detyrim që mund ta zgjidhë me marrëveshje. Mund të gjejë një donator, të shlyejë detyrimin që ka te Tatimet dhe mund ta marrë licencën. E njëjta gjë dhe me Flamurtarin. Mund të gjejnë të ardhurat, të shlyejnë detyrimet dhe të marrin licencën”, shtoi Gjini në këtë deklaratë.

Më tej, në lidhje me stadiumet, Eduard Gjini tha: “I kemi detyruar klubet që të përmbushin detyrimet. Fushë-Kruja ishte mundësia më e mirë e mundshme për Kastriotin. Komisioni ka vendosur që Kukësi nuk luan në Kukës. Është vendim i mirë apo i keq? Stadiumet janë me koeficient”.

“Çështja financiare është kryesore. Klubet duhet të bëjnë menaxhime shumë të mira që të shlyejnë detyrimet që kanë. Të zerohet niveli i borxheve dhe pastaj të jenë të gatshëm të ecin përpara. Ne do të presim datën 31 mars 2019. Unë nuk mund të bëhem garant që Tirana mund të gjejë një donator, të paguajë tatimet dhe të marrë licencën”, ka përfunduar Gjini, i cili më parë ka qenë edhe zyrtar në klubin bardheblu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *