Liçaj: Kemi një grup super, Flamurtari do të kapë majat

Futbollisti vlonjat flet me shumë besim për sezonin e ardhshëm. Duke parë cilësinë e lojtarëve të afruar, ai thekson se skuadra kuqezi do të hapë një faqe të re

Elton Nika

Ka vijuar me dy seance në ditë faza përgatitore e Flamurtarit në Veria, një periudhë disi e ngarkuar për lojtarët, por që cilësohet shumë e rëndësishme për të përballuar një sezon të gjatë. Me lëvizjet që ka bërë, duke afruar lojtarë me shumë kualitet e përvojë, Flamurtari kërkon të jetë sa më lart në renditje dhe, pasi ka mbyllur edhe merkaton, po i bën shërbimin e duhur stërvitjes në Veria. Vlonjati Lejdi Liçaj, pas aktivizimit me sukses te Luftëtari, vendosi të kthehet në Vlorë, ku sheh një Flamurtar për Kupat e Europës, madje e konsideron objektiv minimal këtë. Lojtari që luan në linjën e djathtë, në mesfushë dhe në mbrojtje, thekson se e rëndësishme është që të luftohet hap pas hapi dhe objektivi të shihet ndeshje pas ndeshjeje: “Rikthimin në Vlorë, siç e kam thënë edhe më parë në gazetën tuaj, e quaj shumë pozitiv. Mbi të  gjitha, jam në shtëpi dhe kjo ka më shumë rëndësi se gjithçka tjetër. Te Luftëtari kalova dy sezone mjaft të mira dhe i falënderoj të gjithë për mbështetjen që më kanë dhënë, por tani mendoj Flamurtarin dhe duam që të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën. Rikthimi nuk ishte i vështirë, duke parë dëshirën e të gjithëve, që nga presidenca, trajneri e të gjithë, ndaj tashmë le të shohim përpara”, – thotë Liçaj.

SKUADRA – “Kemi zhvilluar dy javë intensive përgatitjesh në Maqedoni, por në kushte mjaft të mira po punojmë prej disa ditësh edhe në Veria të Greqisë. Stërvitje intensive, shumë e nevojshme kjo, pasi na pret një sezon mjaft i gjatë dhe i vështirë. Ky Flamurtar është ndërtuar këtë vit për të qenë në majat e klasifikimit, por duhet të shohim javë pas jave. E thënë troç: të flasim në fushë, sepse deklaratat nuk kanë shumë sens në këtë periudhë. Rëndësi ka qe të gjithë jemi të predispozuar të japim më të mirën për këtë skuadër. Mund ta them me bindje se grupi është cilësor, me lojtarë profesionistë, që do t’i shihni në fushën e lojës. Objektivi nuk mund të përcaktohet që tani, por minimalisht duhet të jemi në Kupat e Europës. Ka ende kohë për të nisur kampionati dhe besojmë se ky Flamurtar duhet të ndryshojë faqe sezonin e ri”, – ka theksuar futbollisti vlonjat, një nga të rikthyerit e paktë te Flamurtari.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *