Lëvizja e dyshimtë, ylli i Portos përfundon në divizionin e dytë anglez!

0

Klubi anglez i Ulvërhemptonit, në Championship, ka bërë një ndër goditjet e mëdha të verës, sepse ka blerë mesfushorin Ruben Nevesh nga Porto. Bëhet fjalë për një 20-vjçar që konsiderohet një ndër yjet e mëdhenj të klubit portugez dhe të kombëtares, duke u krahasuar me Zhoao Mutinjon, ndërsa ka edhe një rekord: është kapiteni më i ri në historinë e Champions League, duke mbajtur shiritin në moshën 18 vjeç e  221 ditë, në një ndeshje kundër Makabit të tel Avivit, në tetor 2015.

Nevesh kërkohej nga Çelsi e Liverpuli, por u transferua te Ulvërhemptoni për më pak se 18 milionë euro, në një kohë që moshatari i tij te Porto, Andre Silva, i kushtoi Milanit thuajse 40 milionë euro. Diçka nuk shkon, apo jo?

Shpjegimi është i thjeshtë: superagjenti Zhorzh Mendesh (ai i Ronaldos dhe Murinjos), që përfaqëson Neveshin, bën ligjin te Porto (te gjithë kampionati portugez në fakt) dhe është këshilltar i Ulvërhemptonit, që ka pronarë kinezë. Pikërisht Mendesh dirigjoi blerjen e Uolvërhemptonit nga grupi Fosun International vitin e shkuar. Nuk mbaron me kaq, sepse trajneri i ri i Ulvsave është Nuno Espirito Santo, klienti i parë i Zhorzh Mendeshit në vitin 1996, kur ishte portier.

Jo rastësisht, Nuno Espirito Santo ishte trajner i Valencias për një vit e gjysmë, derisa u zëvendësua nga Geri Nevil në nëntor 2015, ndërsa sezonin e shkuar Nuno drejtoi Porton, duke u larguar me dështim, sepse nuk fitoi asnjë trofe.

Në janar, Uolvërhemptoni bleu për 15 milionë euro anësorin ofensiv Helder Koshta, ndërsa muajin e shkuar Zhorzh Mendesh i çoi mbrojtësin Roderik Miranda, marrë nga Rio Ave, që në Portugali konsiderohet si prona private e Mendeshit.

Në Angli ndalohet që një menaxher futbollistësh të drejtojë merkaton e klubeve, por realiteti flet vetë dhe të shumtë janë ata që akuzojnë se skuadra po ndërtohet vetëm me lojtarët që janë klientë të Mendeshit. Edhe Ruben Nevesh, i cili ka firmosur një kontratë 5-vjeçare, me shumë mundësi do ta përdorë Ulvërhemptonin dhe që tani e dinë të gjithë që pas një viti do të shitet për 35-45 milionë euro, e pakta. Porto humbet një supertalent për “një copë bukë”, si zakonisht, Ulvërhemptoni bëhet një “shesh lojrash” për Zhorzh Mendeshin dhe tifozët e Ulvsave janë tepër të shqetësuar: më parë, Valencia është fundosur nga Mendesh, ndërsa në të shkuarën ka edhe raste të tjera kur klube të lidhur fort me një menaxher kanë shkuar drejt falimentimit, si Donkasteri në sezonin 2010/2011, kur një menaxher i fuqishëm i çoi disa yje të Premier Ligës, duke nisur nga El-Haxhi Diuf, por klubi ra në divizionin e tretë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image