Lëviz Skënderbeu, firmosin Abazi dhe Jashanica

0

 

 

Kanë ardhur tashmë dy firmat e para në radhët e kampionëve. Kosovarët Leonit Abazi dhe Bajram Jashanica janë takuar në Durrës me presidentin Takaj dhe kanë firmosur kontratën 2+1

 

Leonard Trebicka

 

Një ditë pas festës së çmendur të titullit të 5-të radhazi të korçareve, “Sport Ekspres” zbuloi lajmin e arritjes së akordit me dy futbollistët kosovarë, Leonit Abazi dhe Bajram Jashanica. Të dy futbollistët biseduan “kokë më kokë” me presidentin Ardjan Takaj dhe, sipas “bosit” të kampionëve, gjithçka ishte e mbyllur për rinovimin. Dhe dje ka ardhur edhe zyrtarizimi. Abazi dhe Jashanica kanë udhëtuar nga Kosova drejt Durrësit, ku më pas kanë hedhur edhe firmën në kontratë. Presidenti Takaj i lajmëroi të dy lojtarët për t’u paraqitur në “Tropikal”, pasi janë të vetmit që ndodhen afër gjeografikisht dhe kështu listës së sezonit të ri i janë shtuar edhe dy emra të tjerë.

KONTRATAT – Abazi dhe Jashanica mësohet se kanë firmosur nga një kontratë 2-vjeçare, me të drejtë zgjatjeje edhe për një vit. Pra, janë kontrata afatgjata dhe që tregojnë se Skënderbeu synon të mbetet në këto nivele edhe në të ardhmen. Terma financiarë nuk janë dhënë, por e rëndësishme është që dy lojtarë cilësorë do të qëndrojnë në Korçë. Leonit Abazi është mesfushor i krahut të majtë, por sezonin e fundit luajti në të majtë të mbrojtjes, rol që e bëri shumë mirë dhe të gjithë thanë se është “adapt” për të. Bajram Jashanica, i cili kërkohej nga disa skuadra, pasi ka luajtur pak me kampionët, ka qenë një shtyllë në prapavijë presidenti Takaj nuk mund ta lejonte të largohej. Janë dy firmat e para për Skënderbeun, pas titullit kampion. Tashmë gjërat kanë filluar të lëvizin për të “kopsitur” ekipin e sezonit të ri. Pas largimit zyrtar të Martinsit dhe Stojkovit, si dhe largimit të Vangjelit dhe Sefës, që pritet të zyrtarizohen, ka pilluar puna me rinovimet. Kontratë me korçarët kanë edhe Nimaga, Peter, Latifi, Lulaj, Alikaj, Souza, Kame dhe Llapanji. Për Abazin dhe Jashanicën ka këmbëngulur trajneri Josa që të qëndrojnë.

KONFIRMIMET – Lojtarët që kanë rinovuar dhe ata që e kanë konfirmuar qëndrimin e tyre te kampionët bëhen 15, një numër i konsiderueshëm, por që nuk mjafton. Për emrat e lartpërmendur është mbyllur gjithçka, por janë edhe disa të tjerë, që mund të quhen 99% pjesë e Skënderbeut, edhe pse nuk kanë firmosur. Kapiteni Shkëmbi, Arapi dhe Shehi me siguri do të firmosin sapo të mbërrijnë në Durrës, më 10 qershor. Edhe Radas mund të quhet një tjetër lojtar i kampionëve. Kroati, para se të largohej për pushime, ka bërë një bisedë me presidentin Takaj dhe ka arritur akordin, por mungon firma, që pritet të hidhet me kthimin e tij në Shqipëri. Edhe Berisha është pa kontratë, por është 99% pjesë e kampionëve. Kosovari mbylli një sezon super me fanellën bardhekuqe dhe, pasi ka biseduar me presidentin, ka pranuar të vishet sërish bardhekuq.

TË TJERËT – Për futbollistët e tjerë duhet pritur, sepse nuk mund të flitet për qëndrimin e tyre pa firmosur. Osmani pret të bisedojë me presidentin Takaj, ashtu si dhe Progni e të tjerë. Një tjetër titullar cilësor te Skënderbeu është mesfushori korçar, Sabjen Lilaj, për të cilin është e sigurt se do të luajë në Champions League, por për më vonë asgjë nuk është e sigurt. Nëse kampionët do të ecin në Europë, Lilaj do të qëndrojë, por kujtojmë që në adresë të tij kanë mbërritur shumë oferta nga jashtë kufijve. Takaj e konfirmon edhe për një vit dhe këtë e thotë me siguri, por kështu do të jetë vetëm kur te jetë hedhur firma në kontratë.      

 

Futbollistët e konfirmuar

1.Bledi   Shkëmbi

2.Orges   Shehi

3.Renato  Arapi

4.Bakary  Nimaga

5.Ademir  Souza

6.Marko   Radas

7.Peter   Olayinka

8.Liridon Latifi

9.Bruno   Lulaj

10.Enkel   Alikaj

11.Leonit  Abazi

12.Bajram  Jashanica

13.Bernard Berisha

14.Mario   Kame

15.Erjon   Llapanji

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.