Levandovski, ditëlindje me polemika: Në Azi nuk jemi stërvitur

Fitorja 3-1 në debutimin kundër Leverkusenit ka nxjerrë në pah probleme nga faza përgatitore. Polaku ka folur i shqetësuar me rastin e 29-vjetorit

Bajerni i Mynihut e ka nisur mbarë mbrojtjen e titullit të premten e kaluar me fitoren 3-1 përballë Leverkusenit. Por, përtej golave dhe tri pikëve, paraqitja e bavarezëve ka pasur shumë dritëhije. Kampionët e Gjermanisë si rrallëherë i kanë dhënë shumë mundësi për shënim kundërshtarit dhe Robert Levandovski mendon se dobësitë e shfaqura nga Bajerni i kanë rrënjët më të thella se tek 90 minutat e para të sezonit. Sulmuesi polak, autor i njërit nga golat e suksesit të Bajernit ka ngritur pikëpyetje mbi fazën përgatitore të bavarezëve në turin e tyre aziatik dhe në një farë mënyre ai i është kundërvënë drejtuesve të klubit, në veçanti shefit ekzekutiv Karl-Hainc Rumenige, i cili e cilësonte një sukses të plotë turin e Bajernit në Azi.

Levandovski i qartë – Sulmuesi polak ka qenë i qartë në qëndrimin e tij kur është pyetur në lidhje me fazën përgatitore të kampionëve të Gjermanisë. Duke folur për “Sport1” ai ka thënë: “Gjatë fazës përgatitore nuk kemi pasur kohën e mjaftueshme për t’u stërvitur! Gjatë gjithë kohës na është dashur të udhëtojmë shumë dhe të zhvillojmë disa takime miqësore. Kjo nuk na ka ndihmuar aspak në përgatitjet tona.” Levandoski nuk është mjaftuar me kaq dhe ka thekuar se dhe pjesa tjetër e përgatitjeve ka qenë e sforcuar, pasi koha ka qenë shumë e ngjeshur. “Tani jemi stërvitur dy javë dhe kemi dhe një javë tjetër për të rikuperuar kohën e humbur gjatë turit në Azi”- ka shtuar sulmuesi.

Edhe Ançeloti pranoi problemet – Robert Levandovski nuk ka qenë i vetmi që ka vënë në pah problemet e Bajernit në takimin e parë. Edhe trajneri Karlo Ançeloti ka folur për mungesën e kondicionit të plotë, duke mbështetur qëndrimin  Levandovskit, por duke e relativizuar disi shqetësimin e sulmuesit të tij. “Kur nuk ke kondicionin e plotë 100% është e vështirë edhe të mbrohesh me rregull”- ka komentuar italiani.

Çfarë thoshte Rumenige? – Nëse kthehemi disa javë prapa në kohë, shefi i Bajernit, Rumenige i pyetur enkas për fazën përgatitore në Azi deklaronte i bindur se ajo i kishte shërbyer ekipit! “Më duket se kritikat ndaj turit tonë në Kinë dhe Singapor janë disi cinike. Unë mendoj se udhëtimi në Azi ka qenë ideal, plotësisht i suksesshëm”- deklaronte Rumenige i mbështetur dhe nga presidenti Hënes më pas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *