Lerda nuk firmos për barazim: Nëse jam kundër ekipit më të fortë në botë, luaj 1% shans që kam

Trajneri i Partizanit, Lerda, ka folur në prag të ndeshjes që të kuqtë do të kenë përballë Laçit. Në këtë transfertë vështirësia do të dyfishohet, pasi kurbinasit kërkojnë pikë jetike dhe nuk e kanë nisur sezonin në mënyrën e duhur.

Në konferencën e sotme për shtyp, tekniku i kampionëve aktual është shprehur se nuk do të luajë për barazim ndaj Laçit, madje një gjë e tillë nuk do të ndodhte edhe nëse përballë do të kishte ekipin më të fortë në botë.

“Është një rastësi që kemi të njëjtat pikë si në sezonin e shkuar. Por këtë vit kanë ndryshuar ekipet si Partizani dhe Laçi. Mbetet e vështirë duke marrë parasysh fushën dhe ambientin ku do të luajmë. E kemi provuar edhe në takimin miqësor ndaj Laçit para dy muajsh. I dimë vështirësit që na presin.

Përveç Solomon të skualifikuar, ka shfaqur probleme edhe Melo që nuk do të jetë gati. Ne jemi kampionët në fuqi dhe të gjithë do të duan të na mundin. Laçi ka një trajner të përgatitur, ekspert dhe që e njeh kampionatin shumë mirë.  Firmos për barazim? JO! Unë çdo ndeshje që e luajë e përgatis vetëm për fitore, pastaj verdiktin e jep fusha. Por nuk them që e pranoj barazimin edhe nëse luajë me ekipin më të fortë në botë. Atë 1% mundësi që e kam, dua ta luaj”, ka thënë Lerda. /Sport Ekspres/