Leonardo prezantohet: “Merkato pa shpenzime kolosale. Gatuzo nuk preket. Do doja edhe Maldinin te Milani”

Ashtu si ishte paralajmëruar, Leonardo është prezantuar sot si koordinatori dhe përgjegjësi i zonës teknike te Milani, ku do të ketë kompetenca të plota edhe për merkaton.

Braziliani kthehet në shtëpi, por natyrisht ka hasur edhe në kundërshti, sepse shumë tifozë nuk ia kanë harruar tradhtinë e kalimit nga Milani tek Interi, në fillim të kësaj dekade. Gjithsesi, Leonardo ka folur për këtë çështje dhe gjithçka tjetër gjatë konferencës së prezantimit.

“Jam i lumtur që kthehem te Milani. E pranova ofertën për t’u rikthyer sepse kam parë njerëz të rinj, që kanë interes për futbollin dhe duan të bëjnë gjëra të mira. Sapo kemi nisur, ka ende shumë gjëra për të kuptuar dhe duhet kohë, por edhe ndihmë, sepse nuk kemi shumë kohë në dispozicion.

“Bonuçi ka shprehur një dëshirë, të shohim nëse do ta realizojmë, pa asnjë presion e detyrim. Kemi biseduar në Juventusin, ashtu si me shumë klube të tjera, sepse më duhet të krijoj lidhjet, njohjet.

“Kaliniç? Po bisedojmë me shumë klube, jo vetëm me Atletikon. Andre Silva? Është një diskutim ndryshe. Duhet parë çfarë dëshiron ai dhe çfarë mund t’i japim ne, është i ri, duhet studiuar zgjidhja e duhur për të gjithë. Lokateli? Është djalë shtëpie, për mua është më mirë të vijojë rrugëtimin këtu.

“Tifozët e zhgënjyer? Ndjenjat ekzistojnë, pati pakënaqësi kur shkova tek Interi, e di. I kuptoj dhe i respektoj tifozët, do të mundohem të fshij pakënaqësitë me punën time”.

“Të shohim, uroj të bashkohet edhe Maldini me ne, është një mik i mirë dhe përfaqëson historinë e Milanit. Gatuzo? Është konfirmuar i pari nga Elliott, nuk ka qenë kurrë në diskutim. Askush nuk ka biseduar me Konten, Gatuzo ka besimin tonë të plotë.

“Merkatoja? Kam folur me Gatuzon, kemi vizion të përbashkët, tani të shohim a gjejmë dot pjesët që na duhen për mozaikun. Nuk është e lehtë, jemi të varur nga Fair Play financiar, ndaj goditjet e mëdha nuk i bëjmë dot. Kemi një problem, skuadra ka një barrë të rëndë në aspektin e pagave, ndaj duhet të punojmë për ta ulur shpenzimin në këtë drejtim. Portierët? Kemi një ekspert si Reina dhe një super talent si Donaruma. Nuk kemi asnjë ofertë zyrtare për ta, e kotë të flasim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *