Lenjani, “udhëtim” 365 ditësh: Beogradi, momenti më i errët!

0

Mbrojtësi, zbulim i vitit të shkuar, rrëfen emocionet e golit ndaj Danimarkës: “Bëra të lumtur miliona shqiptar, por sa keq që nuk fituam. Shqipëria në Euro 2016, më shumë se një ëndërr. Ja një ditë e zakonshme e imja”

I shpejtë, i fuqishëm, teknikë të mrekullueshme, gjuajtje preçize, si dhe lufton me shpirt për fanellën që ka veshur. Fjala është për zbulimin e vitit 2014 te Kombëtarja e Shqipërisë, mbrojtësin e majtë Ermir Lenjani, i cili shkëlqeu gjatë vitit që lamë pas.

Djaloshi nga fshati Karaçevë i Komunës së Kamenicës, aktualisht është pjesë e skuadrës zvicerane St.Galen, ku me plot sukses po e bart fanellën e gjelbër e zinjve.

Futboll filloi të luajë që në moshën pesëvjeçare, ndërsa karriera e tij filloi si nëntëvjeçar në skuadrën e vogël zvicerane, FC Tosfeld, para se të nënshkruante me skuadrën e dytë të Uinterthurit. Në një intervistë dhënë për “Telegrafi”, ylli kosovar i Kombëtares kuqezi flet rreth karrierës së tij si futbollist, por edhe për emocionet që i jep fanella e përfaqësueses së Shqipërisë. Lenjani, tregon se me mundësitë që ka, ai e përcjell edhe futbollin kosovar, ndërsa zbulon skuadrat që preferon.

 

– Ermir, kur ia keni filluar të merreni me futboll?

– Kam qenë shumë i vogël kur kam filluar të luaj, ndërsa klubi im i parë ka qenë një skuadër e vogël e quajtur FC Tosfeld.

– Deri më tani keni luajtur për tri skuadra të ndryshme, Uinterthur, Grasshopers dhe St Galen, ku keni kaluar më së miri?

– Uinterthurin nuk do ta harroj asnjëherë, pasi aty kam marrë hapat e parë të karrierës, ndërsa koha ime më e keqe ishte në Grasshoper. E në St.Galen kam kaluar më së miri, pasi falë këtij klubi kam arritur edhe në Kombëtaren e Shqipërisë, por edhe kam luajtur në një garë të madhe, siç është Europa League.

– Cila është ndeshja më e mirë në karrierën tënde me Shqipërinë?

– Kanë qenë disa ndeshje shumë të mira, por më së shumti që me Danimarkën kur kam shënuar gol dhe kam bërë të lumtur miliona shqiptarë. Është kënaqësi për mua që luaj për Kombëtaren e Shqipërisë, dhe bëhem i lumtur kur shqiptarët anembanë botës thërrasin emrin tim. Shpresoj që të vazhdoj edhe për shumë vite t’i bëj të lumtur gjithë shqiptarët.

– Momenti më i keq si lojtar i Kombëtares së Shqipërisë?

– Desha të them se ndeshja me Serbinë, por aty ka qenë edhe moment i mirë edhe i keq. i mirë ka qenë se i treguam gjithë botës se jemi shqiptarë dhe nuk lejuam askënd të na prekë simbolet tona, ndërsa ka qenë moment i keq kur tifozët na fyenin dhe policia na godiste. Megjithatë të gjitha ato që i kemi përjetuar janë të kaluara, pasi ne kemi treguar se kush jemi dhe sa vlejmë.

– Momenti më i mirë me klube?

– Ndeshjet më të mira për mua në nivel të klubeve kanë qenë sa isha në St Galen, ndaj Valencias edhe ndaj Suonsi, ku edhe pse humbëm ishin dy ndeshjet që i mbaj mend, pasi jam paraqitur mirë dhe më lavdëruan të gjithë.

– Momenti më i keq me klub?

– Momenti më i keq ka qenë sa isha pjesë e Grasshopersit, pasi mendova se bëra një hap të madh aty hasa në vështirësi, pasi pata edhe disa probleme me trajnerin, dhe luajta vetëm tetë ndeshje para se të rikthehesha në Uinterthur.

– Si e kalon një ditë Ermiri?

– Zgjohem në mëngjes në ora 7:30 ose në 8:00, ha mëngjes dhe vazhdoj rrugën për në St Galen me makinë, ku bëj gjysmë ore rrugë për në stërvitje. Mbërrij në stërvitje gjithmonë 30 minuta para kohe. Pasi vesh rrobat e stërvitjes, bëj ushtrime individuale derisa të vijë pjesa tjetër e skuadrës në ora 10, dhe vazhdojmë ushtrimet deri në ora 11:30. Pas stërvitjes shkojmë me shokë për të ngrënë drekë, ku zakonisht jam i shoqëruar nga Albert Bunjaku që e kam bashkëlojtar. Pas drekës shkojmë për të pushuar, meqë përsëri kemi stërvitje në ora 15:00, që zgjat dy orë. Pas stërvitjes vazhdoj në fitnes, ku mundohem që sa më shumë të mbaj formën. Pas kësaj kthehem në shtëpi dhe ha darkë, ndërsa nganjëherë dal me shoqëri në mbrëmje kur kemi ndonjë ditë të lirë.

– Me kë jetoni?

– Jetoj në Uinterthur, ku së bashku në shtëpi jam me prindërit. Këtu afër e kam edhe vëllanë dhe motrën, të cilët me familje jetojnë në banesat e tyre.

– Ku i kaloni pushimet?

– Pushime zakonisht kemi nga dy javë dhe gjithmonë mundohem të pushoj në ndonjë bregdet, ndërsa një javë tjetër e kaloj në Kosovë, duke i vizituar familjarët dhe të afërmit e mi.

– Cilët janë shokët e tu te Kombëtarja?

– Të gjithë i kam shokë të mirë, pasi jemi një grup shumë i mirë i lojtarëve. Por më së shumti kohë kaloj me Amir Abrashin dhe Taulant Xhakën, pasi edhe njihemi më mirë që luajmë në Zvicër.

– A e ndjek futbollin e Kosovës dhe cila është skuadra e preferuar?

– Shumë pak, pasi nuk kam kohë. Ndërsa kam tri skuadra të preferuara. E para është skuadra e vendlindjes sime, Kaolini, që garon në ligën e dytë, ndërsa pas saj vijnë Drita e Gjilanit dhe Prishtina.

– Personat më të dashur për ty?

– Padyshim që familja ime. Ata gjithmonë më kanë përkrahur dhe unë asnjëherë nuk i harroj të mirat. Jam krenar që i kam pas vetes, si dhe janë njerëzit që nuk mundem dot pa ta.

– Në faqen tuaj zyrtare në rrjetin social Facebook, “Ermir Lenjani Fanpage”, keni afër 35 mijë fansa, ku jeni shumë aktiv duke postuar, sa jeni i kënaqur me adhuruesit tuaj?

– Jam shumë i lumtur për të gjithë ata fansa që kam në faqen time. Ndoshta do të kisha edhe më shumë sikur mos të hapeshin faqe të tjera me emrin tim. Natyrisht që postoj shumë në Facebook, pasi dua që një pjesë të kohës time ta ndaj edhe me ata që më përkrahin vazhdimisht. Pa përkrahjen e fansave të mi as un nuk do të isha këtu ku jam.

– Pasi jetoni në Zvicër, a rastisni në fansa tuaj që kërkojnë të bëjnë foto me ju?

– Në Zvicër jam si në Kosovë ose Shqipëri, pasi krejt Zvicra është mbushur me shqiptarë dhe nuk kalon asnjë ditë pa u takuar me ndonjë fans që më kërkojnë të bëjë foto. Ndalem me të gjithë që më flasin dhe bisedoj shkurtimisht pasi të bëjë foto. Kjo është një kënaqësi për mua.

– Roli juaj është mbrojtës i majtë, por si erdhët në këtë pozitë, pasi karrierën i keni filluar si mesfushor ofensiv?

– Kam luajtur si mesfushor ofensiv, ndërsa nganjëherë edhe në qendër të mesfushës para se të vija në rolin e mbrojtësit të majtë. Isha pjesë e Uinterthurit, dhe dy lojtarët e mbrojtjes së majtë mungonin, ndërsa trajneri më vendosi mua në atë pozitë. Pata një paraqitje shumë të mirë, dhe prej asaj ndeshjeje asnjëherë më nuk kam ndërruar pozitë, vetëm në Kombëtare që luaj më i avancuar.

– A e cilëson vitin 2014 të suksesshëm për ty?

– Me plotëkuptimin e fjalës, po. Ka qenë një vit i mrekullueshëm, pasi arrita të zë vend në Kombëtare dhe të tregoj lojëra të mira. Gjithashtu, kam pasur edhe një vit të mirë me St. Galenin dhe mund të them se ka qenë një vit i shkëlqyer.

– Viti 2015, a pret që të jetë edhe më i mirë?

Lenjani: Shpresoj që po. Së pari të jem shëndosh e mirë, që mos të kem ndonjë problem me lëndime, pastaj të kem suksese me klubin dhe Kombëtaren. Synimi im personal është që t’i ndihmoj Shqipërisë për të arritur në Kampionatin Evropian “Francë 2016”.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.