Lenjani: E njohim Francën, ja se si mund t’ia dalim!

0

Mesfushori i Nantës e njeh mjaft mirë ekipin e “gjelave”, për motivin e vetëm se luan prej dy sezonesh në Ligue 1. “Mendoj se po të luajmë me vetëbesim, të paraqitemi si grup dhe si gjithmonë të vrapojmë dhe të luftojmë për njëri-tjetrin, ashtu si në miqësoret”

Humbja e pësuar ndaj Zvicrës, sigurisht, ishte një moment vërtet i dhimbshëm për kuqezinjtë, për faktin se bëhej fjalë për sfidën debutuese dhe sidomos pasi ishte një ndeshje e cila kishte shumë vlera për djemtë e De Biazit. Megjithtaë, fakti që ndeshja tjetër afron shumë shpejt, të mërkurën në Marsejë, të “detyron” që ta heqësh mendjen nga stadium “Bollaert” në Lens dhe të përqëndrohesh në “Velodrome”, Marsejë. Mesfushori që aktivizohet pikërisht në Francë, te Nanta, Ermir Lenjani, ka folur në konferencën për shtyp: “Nuk kemi më kohë të mendojmë për atë që ndodhi me Zvicrën. Tashmë kemi dy ndeshje përpara, të mërkurën me Francën dhe më pas me Rumaninë. Duhet të japim maksimumin. Goli i pësuar, mungesë përqendrim? Nuk mund ta themi këtë. Jemi paraqitur mirë në pjesën e dytë të ndeshjes, por kështu ndodh në futboll”.
Përballë Francës s’do të jetë e lehtë, por Lenjani mendon se Shqipëria do t’I provojë shanset, pasi s’ka asgjë për të humbur në këtë takim. E megjithatë, ai kthehet të nënvizojë edhe problemet që patën në sfidën ndaj helvetëve: “Shfaqëm probleme në mbrojtje në ndeshjen e fundit me Zvicrën. Me Francën do të luajmë ashtu si jemi paraqitur në dy ndeshjet miqësore, ku do të jemi maksimalisht të angazhuar në lojë. Kemi edhe dy ditë stërvitje dhe do të japim më të mirën”.
Sakaq, Lenjani flet edhe për pozicionin e tij në fushë: “Gjithmonë kam pozicionin që të ndihmoj mbrojtjen, por edhe të shtyj përpara. Do ta shohim cila do të jetë detyra ime, por fillimisht duhet të përqendrohemi te faza difensive. Gjithsesi nëse do të kemi shansin të dalim përpara, unë do të sulmoj. Por, më parë duhet të shohim si do ta përgatisim ndeshjen, për të vlerësuar si do të luajmë. Franca e vështirë? E njohim shumë mirë Francën. Mendoj se po të luajmë me vetëbesim, të paraqitemi si grup dhe si gjithmonë të vrapojmë dhe të luftojmë për njëri-tjetrin, ashtu si në miqësoret ndaj gjelave, jam i sigurt se do të fitojmë ose do të marrim një rezultat shumë të mirë”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here