Lena i kthehet fushës, ”shtegton” në Gjeorgji

Strugani provon një aventurë të re në ligën e dytë të Gjeorgjisë, pas eksperiencës shumëvjeçare në Superiore

Nijas Lena la në merkaton e janarit Superioren, por që atëherë qëndroi në pritje të ofertave nga ndonjë kampionat që nis në pranverë, duke qenë se nuk lejohej të aktivizohej në tre ekipe brenda një sezoni. Mesfushori i lindur në Strugë, pas më shumë se 7 sezonesh tani do të nisë një aventurë të re në Gjeorgji, për të mos qëndruar pa aktivitet deri në verë.

Pas aventurave me Flamurtarin, Kukësin dhe Teutën në Shqipëri, tani do të jetë pjesë e skuadrës së FC Telavi në ligën e dytë të Gjeorgjisë. Lena u largua nga Kukësi pas aventurës europiane dhe u transferua te skuadra e Tuetës, ku mori dhe shiritin e kapitenin. Eksperienca në Durrës përfundoi shpejt, pasi në merkaton e janarit tërhoqi dokumentacionin nga “djemtë e detit”, por duke qenë se ishte aktivizuar në dy skuadra brenda një sezoni, nuk mund të luante për një tjetër skuadër në Europës, ose më saktë në një kampionat që luan në sistemin vjeshtë-pranverë. Edhe pse për Lenën kishte interesim edhe nga Suedi e jo vetëm, e ardhmja e tij do të jetë në Gjeorgji. “Sport Ekspres” mëson se lojtari ndodhet prej ditësh në tokën gjeorgjiane dhe tani marrëveshja është arritur. Prezantimi me skuadrën e re pritet që të bëhet në ditët e ardhshme.

Lajm i mirë për mesfushorin që vijon të jetë me statusin e kampionit, sepse në edicion e shkuar dha kontributin e tij në fitimin e titullit me Kukësin. Pas një periudhe prej 3 muajsh gjen ekip të ri. Tani do i duhet që të përshtatet sa më parë me ekipin e parë, por gjatë kësaj periudhe që nuk ka qenë aktiv është stërvitur në Maqedoni, dhe nuk do të jetë dhe aq problem gjetja e kondicionit të duhur fizik. 31-vjeçari mund të kishte vijuar aventurën në Shqipëri, me skuadrën e Vllaznisë, e cila shfaqi interesim për struganin, por rregullorja e UEFA-s bëri që të niste një aventurë larg Superiores. Me eksperiencën që ka, Lena do të synojë që së bashku me ekipin e ri të pozicionohet në një nga vendet e para. Kampionati ka 3 javë që ka nisur dhe aktualisht FC Telavi renditet në vendin e pestë me 4 pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *