Leksioni i Lushnjës: Ne besojmë!

Mjafton një fjali e shkurtër: Ne besojmë! Kaq thotë Lushnja, me këtë foto të postuar nga Gentian Çela në rrjetet sociale. Nuk është nevoja që Lushnja të flasë shumë, flet vetë fitorja 3-1 në Kukës, përballë kampionëve në fuqi, që në epokën Superiore janë mundur ndonjëherë nga emra si Partizani, Tirana e Skënderbeu, por vetëm kaq.

Milionat dhe cilësia ishin nga ana e Kukësit, krenaria dhe uria në anën e Lushnjës. Çfarë nuk kanë thënë për lojtarët dhe drejtuesit e Lushnjës, i kanë ofenduar, duke i quajtur jo të denjë për Superioren. A është faji i tyre? Lushnja është si një dele mes ujqve, me një buxhet qesharak krahasuar me shumë klube dhe me një skuadër që luajti për disa javë në mërgim, në fillim të sezonit. Në Superiore nuk të pret askush, dy humbje rresht të futin në krizë, pyesni Kukësin. Lushnja e varfër nuk ka eksperiencën e rivalëve, kaloi shpejt në depresion dhe kur të gjithë të thonë që nuk ia del dot, ndonjëherë bindesh edhe vetë që ata kanë të drejtë.

E megjithatë… Ata besojnë! Fituan në Kukës, përballë një rivali me probleme, por që nuk fali asgjë dhe nuk ka ndonjë justifikim. Milionerët e Kukësit kërkonin fitoren e qetësisë, për të mos humbur ndonjë rrogë tjetër, ndaj nuk është se ka pasur nënvlerësim apo ndonjë puç ndaj trajnerit Milinkoviç, nëse ndokush e mendon. Edhe nëse ka ndodhur kështu, kujt i intereson? Lushnjes jo, bëri mrekullinë dhe BESON!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *