Leksion nga profesor Magani, Flamurtari në tapet…

0

Vlonjatët lënë për të dëshiruar për më shumë se gjysmën e ndeshjes. Pak iniciativë për të goditur portën. Durrsakët luajnë me qartë dhe marrin 3 pikët me golin e Mihanit

 

E shtunë, 22 gusht 2015, ora 17:00, stadiumi “Loni Papuçiu”, Fier

 

Flamurtari – Teuta   0-1

Shënues: Mihani 62’

 

Flamurtari: Halili, Idrizaj, Fustar, Kuqi, Popkhadze, Telushi, Trap, Nexhipi, Bregu (Y.Hoxha 46’), Maxhuni (Greca 60’), Buval (Tshadadze 76’). Trajner: S.Levi.

Teuta: Rizvani, Kuka (E.Hoxha 46’), Shkalla, R.Hoxha, Kotobelli, Hodo, Mihani, Hila, Dita (Hyseni 80’), Lamçja (Ferraj 67’), A.Magani. Trajner: G.Magani.

Gjyqtarë: L.Jemini, E.Barushi, D.Rexha (Tiranë)

Gjyqtar i katërt: K.Meta

Kartonë të verdhë: Telushi, Idrizaj, Mihani, Hila

 

 

Goli

62’ – Inkursion i Erand Hoxhës, i cili gjuan në hyrje të zonës dhe topi përplaset në traversë, duke shkuar më pas në këmbët e Mihanit në vijën e 16 metrave. Kavajasi nuk mendohet dy herë, gjuan fort me të djathtën dhe mposht Halilin. 0-1.

 

Moviola

74’ – Flamurtari pretendon për një 11-metërsh, pasi Trap mbahet me dorë në mënyrë të qëllimshme brenda zonës nga një mbrojtës i Teutës, por gjyqtari Jemini vazhdon lojën.

 

 

Episodet

2’ – Durrsakët japin sinjalin e parë me një gjuajtje jashtë zonës, bllokon mbrojtja.

4’ – Lamçja kalon Idrizaj dhe avancon nga e majta, pason në zonë, ndërhyn Fustar.

6’ – Goditje dënimi për Flamurtarin, që aplikon një skemë, por Bregu nuk arrin të pasojë për shokët e ekipit.

9’ – Kuka gjuan me të djathtën në hyrje të zonës, topi kalon sipër traut.

14’ – Tenton Magani brenda zonës, por nuk arrin ta kalojë portierin Halili.

18’ – Kombinim i bukur Trap-Nexhipi, por çeku fiton vetëm një goditje këndi. Pas ekzekutimit të saj gjuan Fustar me kokë, por jashtë.

20’ – Aksion i bukur i durrsakëve nga e djathta, që mbyllet me gjuajtjen e Hodos, topi devijohet në goditje këndi. Në zhvillimet e saj gjuan Mihani, sërish topi devijohet.

23’ – Kuka kroson në zonë, Lamçja gjuan me kokë, por jashtë kuadratit.

31’ – Flamurtari ka një mundësi të mirë, pas një sulmi të shpejtë. Nexhipi kërkon zgjidhjen personale dhe jo pasimin, por gjuajtja e tij bllokohet nga mbrojtja.

33’ – Mihani ekzekuton një goditje dënimi në pozicion ballor, pret Halili në dy kohë.

38’ – Bregu lirohet mirë në hyrje të zonës, gabon totalisht në gjuajtje.

40’ – Buval rrëmben një top dhe avancon nga e majta, por nuk arrin të gjuajë drejt portës.

44’ – Kundërsulm i shpejtë i Teutës. Hila gjuan jashtë zonës, por jashtë kuadratit.

45’+1’ – Kombinime të bukura të vlonjatëve, por Bregu gabon përsëri në gjuajtje.

49’ – Kotobelli provon me të majtën, pret Halili.

52’ – Kuqi shpëton Flamurtarin nga një gol i sigurt. Gabim fatal i kroatit Fustar në kthimin e topit prapa. Përfitojnë durrsakët dhe Magani gjuan drejt portës, vjen me shpejtësi Kuqi, që largon topin.

55’ – Idrizaj, nga e djathta, vepron bukur, por kroson më fort se duhet.

57’ – Kundërsulm i shpejtë i Teutës, që mbyllet me gjuajtjen e Ditës, grushton Halili.

65’ – Nexhipi kroson nga e majta në zonë, ku Kuqi gjuan me kokë, por në mënyrë të gabuar.

71’ – Greca gjuan me të majtën jashtë zonës, pret Rizvani.

73’ – Greca pason në zonë për Buvalin, cili bllokohet në gjuajtje nga mbrojtësit e Teutës.

83’ – Popkhadze vepron bukur nga e majta, fut një top të rrezikshëm në zonë, ku Greca është me vonesë dhe nuk arrin të gjuajë.

90+2’ – Goditje dënimi për vlonjatët në pozicion ballor me portën e Teutës. Telushi gabon në gjuajtje.

 

Altin Kuko

 

Flamurtari i lëvizjeve të shumta në merkaton e verës e niste këtë sezon me objektivin minimal për një vend në Kupat e Europës, por në ndeshjen e parë ka lënë shumë për të dëshiruar. Jo vetëm që nuk ka marrë pikë në ndeshjen me Teutën, që u luajt në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, por ka zhgënjyer totalisht në lojë, duke sjellë në mendje skuadrën e sezonit të kaluar. Pak dëshirë për lojë vetëm pas pësimit të golit dhe paqartësi në aksionet sulmuese.

Çdo gjë i lihet rastësisë, ndërsa “peshat e rënda” të formacionit, të marra me shumë bujë, siç janë Nexhipi dhe çeku Trap, nuk duken fare në fushë. E kundërta ndodh në radhët e Teutës, që me djemtë e rinj, por me një “usta” në stol, siç është Gugash Magani, merr maksimumin në Fier, në një ndeshje transfertë.

Fitore e merituar, falë grintës në fushë dhe një forme fizike më të mirë se kundërshtari. Një sinjal i qartë për të gjithë skeptikët nga kjo skuadër dhe nga trajneri i saj, i cili nuk ka harruar t’i shigjetojë ata që nuk kanë besuar sa duhet tek ai.

PJESA E PARË – Papritur trajneri Levi lë jashtë skuadre sulmuesin Mario Morina, i cili, sipas çekut, nuk është ende gati. Kuqi zë vend në qendër të mbrojtjes, ndërkohë që titullarë janë Maxhuni dhe Bregu, që mbështesin nga krahët sulmuesin e vetëm Buval. Trajneri i Teutës, Gugash Magani, i beson 20-vjeçarit Shkalla në qendër të mbrojtjes, ndërsa në sulm është treshja Lamçja-A.Magani-Dita.

Durrsakët janë më kërkues me kalimin e minutave, ndërsa vlonjatët duken në “gjumë”. Lojë e ngadaltë e Flamurtari dhe asnjë rast për shënim, kurse Teuta përpiqet të befasojë me Lamçen dhe A.Maganin. Mjaft aktiv në krahun e djathtë është mbrojtësi Kuka, i cili shtyn shumë përpara. Dy-tre raste sporadike të Flamurtarit në këtë pjesë të parë, por të pafinalizuar. Bregu lirohet mirë, por nuk ka shënjestrën e duhur, ndërsa Nexhipi, pas një kundërsulmi, provon të gjuajë jashtë zonës, por pa rezultat.

PJESA E DYTË – Teuta e nis me një ndërrim të detyruar, ku vendin e Kukës e zë Erand Hoxha, ndërsa trajneri Levi heq Bregun dhe aktivizon Ylli Hoxhën. Përsëri janë durrsakët më të rrezikshëm. Ata i afrohen shumë golit dhe A.Magani mund ta kishte gjetur rrugën e rrjetës, pas një gafe të kroatit Fustar, por topi i gjuajtur prej tij është larguar nga Kuqi. Më pas, një kundërsulm i shpejtë i Teutës, mbyllet me gjuajtjen e Ditës, që ndalet nga portieri Halili. Goli është vetëm çështje kohe për “Djemtë e detit”, ndërsa Flamurtari vazhdon të nënvlerësojë.

Në minutën e 62-të vjen goditja e Teutës. Inkursion personal i Erand Hoxhës, i cili gjuan fuqishëm dhe topi përplaset në traversë e më pas shkon te Mihani, që godet menjëherë dhe 0-1. Për t’u habitur neglizhenca e mbrojtjes vlonjate, që e lë futbollistin e Teutës të gjuajë me shumë qetësi. Levi ndërhyn nga stoli me Grecën për Maxhunin dhe më pas me gjeorgjianin Tshadadze, kurse Magani bën edhe dy ndërrime të detyruara.

Në vend të të dëmtuarve Lamçja dhe Dita futen Ferraj dhe Hyseni. Flamurtari rrit presionin, por sërish nuk është i qartë aq sa duhet për të gjetur golin e barazimit. Ka edhe një rast, kur vlonjatët pretendojnë për një 11-metërsh, por e vërteta është se ata kanë bërë shumë pak për të marrë pikë në këtë ndeshje, ku nuk treguan asnjë vlerë, duke zhgënjyer drejtuesit dhe tifozët që kishin ardhur nga Vlora.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.