Leksion edhe për Shqipërinë/ Ultrasit e Dortmundit tregojnë klasin: Rrini në shtëpi, pazarin ua bëjmë ne

Dortmundi ka një nga tifozeritë më të zjarrta në botë, që gjithmonë dinë si të krijojnë atmosferë në shkallët e stadiumit. Të luash përpara tyre patjetër që është një ndjesi e veçantë për të gjithë lojtarët, pasi ia dalin gjithnjë të dhurojnë spektakël, duke i dhënë një hijeshi më të madhe ndeshjeve. Por këtë herë, kur futbolli është ndalur, ultrasit e Dortmundit bëhen shembull jashtë stadiumit. Grupimi “Sudtribune Dortmund” solidarizohen në maksimum me situatën e krijuar nga koronavirusi, duke e lënë vete ne tyre në shërbim të grupeve që rrezikohen më tepër nga kjo pandemi.

Kështu nga ora 11:00 deri në 17:00, ultrasit e klubit gjerman janë në dispozicion të plotë të personave të karantinuar që rrezikohen më tepër nga Covid-19, si moshat e mëdha apo individët me komplikacione të tjera, në mënyrë që të bëjnë pazarin për ta dhe të shërbejnë si korrierë. Një gjest i rrallë dhe tejet human ky për tu duartrokitur, e që mund të shërbejë si një shembull për të gjithë. Madje përfshirë këtu edhe tifozët e Superiores, të cilët kanë mundësinë të bëhen bashkë e të lënë kontributin e tyre në këtë Shqipëri të mbushur me probleme, ku përveç halleve të shumta që familjet shqiptare janë të dënuara nga fati që ti mbajnë mbi supe, tashmë është shtuar edhe lufta me një armik që ka paralizuar jetën sociale tonën, atë me Covid-19./Sport Ekspres/