Legjenda Maldini, ngjyrat kuqezi të stampuara në trup dhe suksese si askush tjetër

0

Një legjendë e Milanit. Ndër flamujt e fundit të mbetur në futbollin modern. Një idhull për tifozët kuqezi, të cilin e donin edhe të gjithë fansat në Itali. Jo thjesht sepse ishte edhe kapiten i përfaqësueses së kaltër, por sepse kishte klas dhe elegancë në fushë e jashtë saj.

Prej momentit kur u tërhoq nga futbolli, në vitin 2009, Paolo Maldini nuk punoi më pranë sportit që aq shumë e donte. Dy vjet më parë refuzoi propozimin e ish-administratorit, Fasone dhe të ish-pronarëve kinezë. Rikthimi i Leonardos te Milani dhe projekti i ri i klubit pas kalimit të pronësisë te Eliot, duket se e bindën të rikthehet.

“Paolo është një mik i madh. Ai dhe familja Maldini përfaqësojnë historinë e Milanit”, tha disa ditë më parë Leonardo. “Është një vlerë unike e klubit, e jashtëzakonshme. Do të ishte bukur nëse do t’i bashkohej projektit tonë”. Ambienti kuqezi ndryshoi qëndrim ndaj ish-kapitenit. Fjalët duket se e bindën 50-vjeçarin.

Ikona vendosi të kthehej në shtëpi. Në klubin, me të cilin më 20 janar 1985 debutoi në Serinë A italiane kur ishte vetëm 16 vjeç. Prej asaj kohe ishin të dhënat e një talenti të madh dhe premisat e një karriere fantastike, duke fituar si pak të tjerë në futboll. Në total janë 26 trofetë e ngritur me Milanin.

Me kuqezinjtë, Paolo Maldini ka fituar gjithçka që mund të fitohej: 7 tituj kampionë në Serinë A, 1 Kupë të Italisë, 5 Superkupa të Italisë, 5 Champions League (duke luajtur 8 finale në këtë turne, rekord të cilin e mban së bashku me Fransisko Gento-n), 5 Superkupa të Europës, 2 Kupa Interkontinentale dhe një Botëror për klube.

Ish-mbrojtësi i majtë u largua nga futbolli i luajtur në sezonin 2008-’09, pas 25 viteve ku përfaqësoi fanellën kuqezi në nivelet më të larta të futbollit. Në total, Paolo Maldini regjistroi 648 ndeshje në Serinë A, rekord absolut në elitën e futbollit italian, nga të cilat në 419 takime ka mbajtur shiritin e kapitenit. Një legjendë e gjallë!

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.