LeBron heroik, por Golden Stejt fiton në fund

Kanë nisur finalet e kampionatit amerikan të basketbollit, NBA. Për të katërtin vit radhazi në finale ndeshen dy superfuqitë e basketbollit amerikan, Golden Stejt dhe Kleveland Kavaliers.

Përballja e parë e zhvilluar në Oracle Arena ishte një sfidë spektakolare, me LeBron Xhejms që zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme, por në fund u tradhëtua nga skuadra e tij, me Kleveland që u mposht pas kohës shtesë me rezultatin 124-114.

Plot 51 pikë, 8 asiste dhe 8 ribaunde, statistika fenomenale të Mbretit, por nuk mjaftoi, sepse Kavaliers nuk janë në nivelin e Golden Stejtit, makineri e vërtetë, që fiton dhe pa luajtur mirë.

Ekuilibër në pjesën e parë, me dy skuadrat që shkuan në pushim në barazim 56-56. Në periodën e tretë, si zakonisht, vendasit e rritën ndjeshëm ritmin dhe në fund të këtij 12-minutëshi Golden Stejt ishte në avantazhin e 6 pikëve.

Gjithsesi, Xhejms kishte ende shumë për të dhënë, pasi mori për dore të tijtë në periodën e fundit, duke barazuar shifrat në 107-107. Çudia ndodhi në sekondat e fundit, me Smith që nuk tentoi gjuajtjen që mund t’i kishte dhënë fitoren Cleveland-it. Një gabim fatal, që peshoi shumë për Kavaliers, sepse në shtesë Golden Stejt nuk gaboi më, duke fituar 124-114.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *