Latifi nuk mendon largimin: Edhe vjet isha me “valixhe” në duar, por…

Edhe një vit më parë u fol shumë për largimin e Liridon Latifit nga Skënderbeu. Madje, flitej për një shitje me vlerë financiare të lartë në Rusi. Kjo gjë nuk ndodhi dhe tani Latifi është ende te Skënderbeu.

Talenti i kombëtares nuk ka dëshirë të flasë për largimin në këtë moment nga Skënderbeu, por thekson se është i përqendruar te ndeshjet europiane: “Një vit më parë fola shumë se do të largohem sot apo nesër, isha me “valixhe” në duar, por nuk ika. Në këtë moment nuk kam dëshirë të flas për këtë çështje. Jam i përqendruar 100% te Skënderbeu. Dua të them vetëm se kam pasur oferta të shumta, së fundi edhe nga Grasshopers, por më mirë le t’ia lëmë kohës. Mendoj vetëm për ndeshjet e Europës”, – tha dje Liridon Latifi. Shumë shpejt ai do të kalojë në një ekip të huaj dhe Skënderbeu do të përfitojë shumë financiarisht. Gjasat janë që të kalojë në Zvicër, te Grasshopers.

Latifi humbi një 11-metërsh në ndeshjen e fundit në Korçë, por më pas shënoi golin e fitores, duke qenë vendimtar për ekipin e tij. “Jemi 100% ne ata që do të kalojmë më tej, kjo nuk diskutohet”, – theksoi Latifi në lidhje me kualifikimin në turin e dytë të Europa League.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *