Latifi: Më mungon Skënderbeu, i lumtur që e vërteta doli në dritë

0

Mesfushori i kombëtares sonë tashmë luan në Hungari, por nuk e harron Skënderbeun dhe i gëzohet fitores së klubit korçar në CAS për titullin e sezonit 2015/16

Liridon Latifi la në verë Skënderbeun për të nisur një aventurë të re në Hungari te Akademia Pushkash. 24-vjeçari u bë një nga transferimet më të shtrenjta dhe tani sheh përpara. Këtë sezon është aktivizuar në 10 takime, por ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës. Në një lidhje direkte me “Zona Gol” në “Supersport” ku ka komentuar titullin  kthyer të Skënderbeut, pasi asokohe ka qenë pjesë e korçarëve. Nuk ka lënë jashtë vëmendjes dhe vendimin e dënimit 10-vjeçar, por dhe ka kujtuar kohën kur ka qenë pjesë e “ujqve”.

TITULLI I RIKTHYER I SKËNDERBEUT – “Ka qenë një vit shumë i vështirë. Ishte diçka e keqe heqja e titullit. Kemi bërë shumë për atë titull. Ka qenë një titull i ëmbël, sepse ishte shumë i vështirë. Ka qenë një vit shumë i mirë, dhe në atë vit donin të na rrëzonin, por e vërteta doli. Jam i lumtur, pasi kam qenë pjesë e skuadrës në atë sezon. Kemi djersitur shumë në atë sezon. Gjithçka e kemi bërë me shpirt, e jo si kanë pretenduar”.

DËNIMI 10-VJEÇAR – “Është një vendim i keq për skuadrën. Uroj që KAS-i të marrë një vendim tjetër. Jam i bindur se presidenti nuk do të dorëzohet dhe jam i bindur se KAS do japë një vendim tjetër. Është diçka e paimagjinueshme ai dënim prej 10 vitesh”.

TAKAJ – “Më mungon si president. Takaj është shumë i qetë edhe kur jemi duke humbur. Ka ardhur dhe na ka motivuar dhe asnjëherë nuk na ka bërtitur apo na ka ulur moralin. Mendoj se është një njeri i jashtëzakonshëm dhe e ka formuar Skënderbeun ashtu siç duhet”.

PRESION NË KUALIFIKUESE – “Jo, unë nuk e kam menduar. Presidenti na ka thënë të luajmë pa presion fare. Ishte një nga arsyet pse shkuam aq larg, që kaluam 4 ture. Luajtëm pa presion, dhamë më të mirën tonë në fushën e lojës”.

LIDHJA ME SKËNDERBEUN – “Besoj se edhe unë i mungoj Skënderbeut. E ndjek dhe në kampionat. Po bëhet një punë të mirë me trajnerin Daja. Janë kampionë absolutë dhe uroj që sa më parë që të marrin titullin e radhës”.

MOMENTI MË I MIRË ME SKËNDERBEUN – “Kur u kualifikua pas 4 raundeve ishte momenti më i veçantë. Dy ndeshjet me Dinamon e Zagrebit kanë qenë dy ndeshjet më të lumtura të karrierës time”.

AVENTURA NË HUNGARI – “Për momentin nuk jam mirë, pasi kam pasur disa probleme. Jam dëmtuar dhe për 7 javë kam munguar dhe më pas më është dashur kohë që të rikuperohem, Tani po përmirësohem me stërvitje. Gradualisht do të arrij formën time më të mirë. Në ndeshjen e fundit jam futur në pjesën e dytë. Skënderbeu në Hungari? Do ishte në vendet e para. Më mungon dhe gjuha shqipe. Këtu flas vetëm me familjen dhe nuk kam kontakt shqip”.

DIFERENCA ME SHQIPËRINË – “Vetëm puna fizike them është më mirë në Shqipëri. Në anën taktike them se jemi njësoj”.

KOMBËTARJA – “Kryesore është të paraqitem mirë në klub. Në kombëtare thirren ato që kanë minuta. Ka dhe lojtarë që luajnë në skuadra të mëdha. unë duhet të luaj 90 minuta dhe më pas të pres ftesën. E kam pasur përkrahjen e Panuçit edhe pse nuk kam pasur minutazh. E falënderoj se më ka thënë që më ka thirrur për të më ndihmuar, edhe pse nuk kam pasur shumë minuta”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.