Latifi dhe Alla “in”, De Biazi zgjedh “Superligën”

0

Të hënën zyrtarizohet lista, por trajneri kuqezi  ka vendosur:  katër ftesa në Superligë (dy portierë, një mbrojtës dhe një mesfushor). Deri ditët e fundit, shpresuan Koliçi dhe Trashi

Anton Cicani

Eshtë kritikuar gjithmonë se nuk ka ndjekur kampionatin shqiptar dhe të ketë “peshkuar” ashtu si duhet në këtë “det” futbollistësh, produkt vendas, por Xhani de Biazi, nisur edhe nga mungesat e shumta, lojtarët jashtë forme dhe “sherrxhinjtë”, këtë herë ka vendosur të thërrasë katër nga Superliga. Për sfidën ndaj Italisë, të premten e ardhshme në Palermo, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2018, por edhe miqësoren ndaj Bosnje Hercegovinës katër ditë më vonë, trajneri kuqezi ka vendosur t’i dërgojë ftesë, veç të firmuarve Orges Shehi dhe Alban Hoxha, edhe Albi Allës së Kukësit dhe Liridon Latifit të Skënderbeut, protagonistë, madje, të moviolës së diskutuar në supersfidën e luajtur në Korçë. Deri përpara disa ditësh, në mendjen e italianit kanë qenë edhe Lorenc Trashi i Partizanit dhe Enea Koliçi i Kukësit, por në fund ka ndërruar mendje. E kështu, mungesën e Mavrajt e zëvendëson mbrojtësi Alla, që ka qenë nën vëzhgim në ndeshjet e fundit, ndërsa atë të Lenjanit (jashtë forme totalisht), Latifi. Sakaq, në portë Shehi kthehet si alternativë, për shkak të eksperiencës së tij dhe mungesës së Berishës, sepse më pas rruga e portierit të Skënderbeut është “vijëzuar”: do të jetë pjesë e stafit.

Përralla “Alla” – Ishte paralajmëruar që para ndeshjes me Korabin që gjirokastriti do të ishte nën vëzhgimin e stafit teknik të kombëtares, për tu vendosur më pas nëse do të merrte një ftesë apo jo. Siç bëhet e ditur, nga burime pranë klubit të Kukësit, Alla ka marrë ftesën zyrtare nga FSHF. Një tjetër xhevahir i shtuar për Kukësin në këtë sezon, ku është në rrugën e duhur drejt titullit kampion. Alla do të bëhet zyrtarisht lojtari i dytë që përmes Kukësit arrin që të kapë kombëtaren, pasi më parë edhe Sokol Cikalleshi është katapultuar përmes verilindorëve në përfaqësuesen kuqezi.

Lista e mundshme me 24 futbollistë

Portierë: Orges Shehi (Skënderbeu), Alban Hoxha (Partizani), Thomas Strakosha (Lacio), Etrit Berisha (Atalanta)

Mbrojtës: Ansi Agolli (Karabak), Arlind Ajeti (Torino), Naser Aliji (Kaiserslautern), Frederik Veseli (Empoli), Andi Lila (Pas Janina), Elseid Hysaj (Napoli), Albi Alla (Kukësi), Berat Gjimshiti (Avelino)

Mesfushorë: Eros Grezda (Lokomotiv Z.), Burim Kukeli (Zyrih), Migjen Basha (Bari), Liridon Latifi (Skënderbeu), Ledian Memushaj (Peskara), Taulant Xhaka (Bazel), Jahmir Hyka (San Hoze), Azdren Llullaku (Astana), Odise Roshi (Terek), Amir Abrashi (Fraiburg)

Sulmues: Bekim Balaj (Terek), Rej Manaj (Piza), Sokol Cikalleshi (Akhisar B.), Armando Sadiku (Lugano)

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here