Largimi “profesionist” i Pakultit, çorba e zakonshme e një futbolli të prapambetur

0

Mesi i korrikut, pas disa javë stërvitjesh dhe një ndeshjeje në kualifikueset e Champions League, Safet Gjici ka pushuar nga puna trajnerin Peter Pakult.

Na falni, u shprehëm gabim, Gjici nuk i pushon kurrë trajnerët, ata pushojnë veten, duke përsëritur fjalët e tij.

“FK Kukësi ka vendosur që të mos rinovojë kontratën me trajnerin Peter Pacult”, shkruhet në faqen zyrtare të Kukësit në Facebook. Interesante gjetja e Kukësit për të fshehur të vërtetën, atë që u mor vesh që dje dhe që nuk duan ta pranojnë: Gjici e largoi me të bërtitura Pakultin, duk i kërkuar llogari edhe për faktin se luajti vetëm me një sulmues!

Tani, që Gjici ka mësuar shumë nga futbolli gjatë periudhës që ka drejtuar Kukësin, këtë nuk e luan topi, por duket e vështirë që të ketë mësuar më shumë nga Pakulti.

Austriaku paska kërkuar shifra më të larta financiare nga çfarë i ofronte Kukësi dhe këtu erdhi pika e ndarjes. Domethënë Pakult paska punuar falas që pas përfundimit të kontratës që kishte firmosur në janar dhe po priste, shtyje ta shtyjmë?

“Nesër do të kemi në drejtimin e ekipin një trajner që merr përsipër objektivat e klubit dhe ka përvojën dhe profesionalizmin e duhur për të drejtuar FK Kukësin”, shkruhet një njoftimin interesant të Kukësit, që praktikisht përkthehet “Ky që kishim nuk bënte, nuk kishte as përvojë e as profesionalizëm”.

Një çorbë e vërtetë, tipike shqiptare, që e shohim çdo sezon dhe më kot shpresojmë se nuk do përsëritet më. Edhe Gjoka një vit më parë largohej po kështu, me justifikimin që nuk kaloi dot Sherifin, a thua se Superiorja shqiptare qenka me vite dritë larg nga futbolli moldav. Jo, Skënderbeu ishte në nivelin e Sherifit e ndoshta nuk do të jetë më kurrë. Kukësi nuk ka qenë dhe nuk është në nivelin e Sherifit, ndoshta nuk do të bëhet kurrë. I gjithë futbolli shqiptar ecën me teorinë “një hap para e dy pas”, në gënjeu mendja këto vitet e fundit për shkak të ngritjes së jashtëzakonshme të Skënderbeut.

Sa për Pakultin, në tre vitet e fundit ka punuar në Ballkan dhe çfarë nuk i kanë parë sytë. Kohët e fundit kishte folur shumë mirë për Gjicin, duke mos e fshehur se në Shqipëri kishte gjetur parajsën, por Pakulti harroi që Shqipëria është në Ballkan, nuk ndryshon dot nga fqinjët. Na fal, Pakult, por ky stan këtë bulmet ka, nuk besojmë se je habitur shumë me atë që ndodhi dje.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.