Largimi nga Partizani, Kastrioti dhe ëndrra e madhe: rrëfehet Okebuku

Henri Okebuku u prezantua këtë verë te Partizani, por më pas kaloi te Kastrioti. Me krutanët mesfushori nigerian ka më shumë mundësi aktivizimi dhe kjo është ajo çka i intereson lojtarit të marrë në huazim nga Egnatia.

Në një intervistë të dhënë së fundmi, Okebuku flet për Shqipërinë, futbollin në vendin tonë, objektivat e tij dhe shanset e Kastriotit për të qëndruar në Superiore. Ai beson te mbijetesa në Superiore, por e thotë qartë se për këtë u duhet të punojnë shumë.

– Henri, je vetëm 20 vjeç, si po e përjeton këtë eksperiencë të parë si futbollist jashtë Nigerisë dhe si ka qenë impakti me Europën?
– Në Europë është një situatë krejt ndryshe në aspektin e futbollit. Këtu luhet në mënyrë shumë intensive dhe teknikisht niveli është më i lartë se në Afrikë, ku në plan të parë vjen aspekti fizik.

– Kush të solli në Shqipëri, si u lidhe me futbollin tonë?
– Xhimi Berisha, është shqiptar që banon në Zvicër. Ai ka qenë agjenti im në tre vitet e fundit, që kur luaja për Nigerinë U17.

– Çfarë mendimi krijove për Egnatian dhe Kategorinë e Parë, a ishte brenda pritshmërive të tua dhe çfarë mendove për terrenet, stadiumet, lojtarët?
– Kur erdha tek Egnatia doja të vihesha në provë dhe të tregoja sa vleja, për të lëvizur më pas në një klub më të madh, në Shqipëri ose jashtë saj. Nuk kam asnjë problem me fushat, në përgjithësi janë të mira. Lojtarët natyrisht janë më të mirë në Superiore, por edhe në Kategorinë e Parë ka shumë lojtarë cilësorë.

– Vjen nga një sezon shumë i mirë tek Egnatia, si ndihesh tashmë në Superiore?
– Më pëlqejnë sfidat dhe jam i lumtur që sezoni i parë me Egnatian ishte shumë i mirë. Kur pata shansin të kaloja te Partizani pranova menjëherë, sepse doja një sfidë edhe më të madhe. Për këtë arsye lëviza drejt Superiores, dua të fitoj eksperiencë.

– Egnatia, Partizani, tani Kastrioti. A je i zhgënjyer që nuk qëndrove tek të kuqtë?
– Partizani është një ndër ekipet më të mira në Shqipëri. E dua atë klub dhe u ndjeva shumë mirë me stafin dhe lojtarët, por unë jam i ri dhe kam nevojë që të luaj, ndaj kur lindi mundësia për të shkuar te Kastrioti pranova menjëherë dhe nuk jam penduar.

– Cilat janë planet dhe shpresat për të ardhmen tënde?
– Natyrisht, ëndrra është të luaj në ndonjë ekip në 5 vendet më të zhvilluara në Europë, por së pari dua të zhvilloj një sezon të mirë, për të ndihmuar Kastriotin në kampionat.

– Çfarë mendon për skuadrën që ka Kastrioti, a është një ekip i aftë të arrijë objektivin e mbijetesës?
– Kemi një staf mjaft të mirë dhe lojtarë cilësorë. Na duhet vetëm shumë punë, unitet dhe dashuri mes nesh, për të mbijetuar në Superiore.

– Humbja e fundit në Kamzë a ju ka vendosur nën presion, duke parë edhe kalendarin e vështirë përpara?
– Bëmë disa gabime në ndeshjen në Kamzë dhe na kushtoi humbjen, por mendoj se trajnerët do të korrigjojnë gjithçka para sfidës së fundjavës kundër Laçit, ku duam patjetër fitore.

– A përbën problem fakti që stërviteni në Krujë, por nuk i luani aty ndeshjet shtëpiake?
– Personalisht nuk kam asnjë problem, por natyrisht mendoj se do ishte shumë pozitive nëse do luanim në shtëpi, përballë tifozëve të qytetit tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *