Laport thyen heshtjen: Deshamp e ka personale

Ajmerik Laport u bë mbrojtësi i dytë më i shtrenjtë në historinë e futbollit në janarin e këtij viti. Mançester Siti pranoi të derdhte 65 milionë në arkat e Atletik Bilbaos për të sjellë në Angli mbrojtësin francez. Që prej atij mometi, Laport nuk e ka diskutuar kurrë vendin e titullarit te kampionët e Anglisë.

Por, paraqitjet e mira me Sitin, nuk kanë rënë kurrë në syrin e trajnerit të Francës Didier Deshamp, i cili nuk e thërriti 24-vjeçarin në Botërorin e kaluar. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, Laport nuk ka qenë pjesë e dy grumbullimeve të mëtejshme, pasi Deshamp ka preferuar të marrë mbrojtësin e Kristal Palas Mamadu Sako.

Është e qartë se ka diçka që nuk shkon midis të dyve. Pas vitesh të tëra heshtje mbrojtësi ka folur në lidhje me këtë çështje në një intervistë në një televizion bask: “Sigurisht që nuk mendoj se injorimi ka të bëjë me arsye sportive. Për të zbuluar të vërtetën duhet të pyesni trajnerin. Nuk kam asgjë kundër tij, por është e qartë që ai ka diçka kundër meje”, tha Laport, i cili më pas u mundua të ulte tonet.

Sot mund të isha një kampion bote, por këto janë vendime të trajnerit, i cili nuk po më thërret për arsye personale, por më duhet të respektoj çdo vendim të tij”, përfundon mbrojtësi francez, i cili zotëron dhe pasaportë spanjolle. Aktivizimi me kombëtaren e Luis Henrikes është një opsion për të, por në të shkuarën ai ka deklaruar se ndihet francez dhe s’do kishte kuptim nëse  do të luante për Spanjën. Ku i dihet, ndoshta mund të ndryshojë mendim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *