Lamtumira e senatorëve, axurrët humbasin “bazën”

0

Bufon, Barzalji dhe De Rosi varin fanellat e Italisë në dhomat e zhveshjes në “San Siro”, për t’i mos i veshur më kurrë. Pritet që listës t’i bashkohet edhe Kielini. Një dekadë mes kampionësh

Eliminimi në play-off ndaj Suedisë ka sjellë jo vetëm humbje në para, në imazh por edhe në strukturë dhe sidomos futbollistë e baza solide… Sepse, të gjitha këto janë shembur si me dorë. Një copëz e Italisë largohet përfundimisht pas mungesës në botërorin “Rusi 2018”, një event katastrofik, një Apokalips i vërtetë.
Në dhomat e zhveshjes në “San Siro” janë vendosur të varura përgjithmonë fanellat e Xhixhi Bufonit, Daniele de Rosit dhe Andrea Barzaljit dhe një tjetër mund t’i shtohet… (Xhorxho Kielini ende nuk e ka vendosur). Në post-ndeshjen me Suedinë, të tre kanë zyrtarizuar tërheqjen. Madje, portieri nuk arriti të vendoste rekordin absolut në botë (do të merrte pjesë në botërorin e gjashtë). Ndoshta, listës së lamtumirave, do t’i bashkohet edhe Kielini, edhe pse është ende i lëkudur.
Pikërisht dje për “Sky”, Kielini u shpreh: “Kemi shumë djem të rinj që mund ta përmirësojnë këtë situatë dhe të gjejnë forcën për t’u ringritur. Shpresojmë që kjo dashuri të mos i mungojë kurrë kombëtares. Sipas meje, Italia do t’ia rinisë nga Verrati dhe djemtë e tjerë të datëlindjes ’90. Tërheqja ime? Jam i bindur që nga ky moment deri në Europian do të hapet një cikël i ri. Të gjithë na duhet të rimendohemi gjatë dhe të analizojmë çfarë ka ndodhur”, ka deklaruar mbrojtësi i Juventusit.
E megjithatë, grupi i besuar i senatorëve axurrë është shkrirë. Pikërisht ata djem që bënë të madhe kombëtaren në dekadën e fundit (Bufon dhe De Rosi ishin në fushë në Botërorin e fundit të fituar nga Italia në vitin 2006) vendosën që të varin këpucët në gozhdë. Duhet të riniset me të rinj, duke pritur edhe vendimin e Leonardo Bonuçit. Viti zero ka nisur, pas 60 vjetësh Italia nuk shkon në Botëror, gjysmë shekulli pas ekatombës “Kore e Veriut” që ndryshoi seriozisht gjithë futbollin italian.

Barzalji
“Futbollistikisht, ky është zhgënjimi më i madh në jetën time”. Andrea Barzalji e mbyll kështu aventurën me Italinë: “Kombëtarja të vendos të dridhurat, krijon miqësi mes tifozëve, bashkim dhe unitet. Vërtet mëkat ta mbyllësh kështu. Nuk e di se çfarë mungoi në ndeshje, por jemi jashtë. Të lësh këtë gurp dhe djem është e vështirë. Lotët në Europian ishin një shfryrje. Kjo është e fundit: goditje e rëndë për karrierën time. Mbyllet cikli i 4-5 veteranëve dhe hapet një për të rinjtë”.

De Rosi
“Fanella e Italisë, lëkura ime e dytë”
Daniele de Rosi tërhiqet, por e bën duke pranuar dështimin e të gjithëve, por sidomos duke kërkuar falje për gjestin në tv, teksa ju kërkua që të zhvishej për t’u aktivizuar dhe bëri fjalë duke i thënë ndihmësit të Venturës se çfarë pune kishte ai në fushë, kur ndeshja duhej fituar. “Më vjen keq, por nuk i mungova respekt askujt. Në atë moment doja fitoren dhe mendova për Insinje e El Sharaui. Për mua, fanella e Italisë ishte lëkura e dytë, ashtu si ajo e Romës. Kam 17 vjet që xhiroj nëpër Koverçiano mes të rinjve dhe kombëtares A. Për mua është një ditë e zezë, majde super e zezë”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image