Lala: Po punojmë për të forcuar U19-n

0

Trajneri i kombëtares U-19, Altin Lala foli përpara gazetarëve në një konferencë për shtyp rreth miqësores kundër Italisë dhe projektit që do të ndjekë në krye të stolit kuqezi. 21 janë lojtarët e grumbulluar nga Lala për këtë miqësore ku bien në sy prurjet nga disa vende të huaja me përjashtimin e vetëm të Aris Lalajt nga Akademia e Futbollit Dinamo, dhe David Domgjonit nga Tirana dhe Paulo Ivanit nga Shkëndija e Tiranës.

Altin Lala; “Diferencat me lojtarët që luajnë jashtë janë të dukshme por ne do të mundohemi të bëjmë seleksionime edhe në Shqipëri”.

Në vijim të fjalës së tij, Lala u përqëndrua te vështirësitë më të mëdha që ka hasur në drejtimin e ekipit U-19 duke theksuar se angazhimi i talenteve shqiptarë në disa nga kampionatet më të njohura evropiane e ka penguar shpesh herë për të punuar me grupin e plotë.  Dy çështje të nxehta në orbitën kuqezi mbeten talentet Valmir Sulejmani dhe Donis Avdiaj. Lala e pranon se ata e kanë refuzuar fanellën e kombëtares por la një derë të hapur për rikthimin e tyre.

Altin Lala; “Kam folur me Sulejmanin në Hannover ndërsa Avdiajn e kam ndjekur nga afër por një lojtar që refuzon thirrjen për t’u grumbulluar nuk mund të thirret sërish”. 

Ish mesfushori i kombëtares shton gjithashtu se grupi talentet në vendin tonë nuk mungojnë, madje sipas tij ka edhe emra që pasi kanë kaluar nga ekipet zinxhir në një të ardhme mund të bëhen pjesë e Kombëtares së Parë.

Në konferencën për shtyp ishte i pranishëm edhe shefi i zyrës së talenteve në FSHF, Redi Jupi, i cili u shpreh se aktualisht në vendin tonë nuk janë kushtet për të krijuar një ligë të të rinjve ashtu si në shumë vende me futboll të zhvilluar.

Redi Jupi; “Një 18-19 vjeçar duhet të luajë në vazhdimësi por të krijosh një ligë Primavera si në Itali kërkon shumë fonde dhe aktualisht nuk është e mundur”.

Takimi miqësor mes të rinjve të Shqipërisë dhe atyre të Italisë do të zhvillohet të mërkurën në orën 16:00 në “Elbasan Arena”. / Super Sport

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here