Lala: Mjaft iu lutëm atyre që na refuzojnë

0

 

Trajneri i ekipit kombëtar U-19 Altin Lala dhe përgjegjësi i Sektorit të Ekipeve Kombëtare, Redi Jupi, kanë dhënë dje një konferencë për shtyp në Federatën Shqiptare të Futbollit, duke folur për ndeshjen miqësore që sot Shqipëria do të zhvillojë në orën 16:00, në “Elbasan Arena”, ndaj Kombëtares U-19 të Italisë, e cila vetëm disa javë më parë, fitoi në Viterbo 3-1. Shumë tema të prekura nga ish-legjenda e kapiteni i Hanoverit, që ka bërë edhe ndihmësin e De Biazit dhe vazhdon të jetë një “urë” lidhëse mes moshave dhe Kombëtares A. Përkrah tij, edhe përgjegjësi i sektorit të Ekipeve Kombëtare, Jupi, ka parashtruar një program në lidhje me seleksionet që do të bëhen dhe kriteret që duhen. Pikërisht ish-futbollisti i Dinamos ka nisur analizën e tij, duke i dhënë fill diskutimit: “Siç e dini, me datëlindjen ’96 zhvilluam miniturneun në Portugali dhe nuk u kualifikuam për në Elite Round, kështu që tani nisim seleksiononim për datëlindjen ’97 për ekipin U-19. që në fillim të këtij viti, shumica e lojtarëve që kemi thërritur janë po ata lojtarë që kemi pasur sepse nuk kemi pasur kohë që të bëjmë seleksionime dhe testime për ata eksponentë të kësaj datëlindje, jashtë dhe brenda vendit. Pra, për këtë ndeshje janë çmuar ata lojtarë që luajtën në Çeki me Mustadanagiç dhe do të fillojmë nga pas kësaj ndeshje deri më tutje, deri në muajin mars, formimin e ekipit për vitin që vjen. Të gjitha këto seleksionime e grumbullime që do të bëjmë do t’i lajmërojmë”, u shpreh Jupi, duke i lënë më pas fjalën Altin Lalës.

Miqësorja – Lala e nis me analizën për ndeshjen me Italinë, skuadër ndaj të cilës u ndesh edhe në dhjetor të vitit të shkuar: “Çdo ndeshje që bën me Kombëtaren janë të rëndësishme për të njohur sa më mirë lojtarët dhe aq më tepër për grupmoshat që ke një kohë të kufizuar dhe ke rreth vetëm 1 vit për të krijuar grup. Çdo ndeshje vlen për të parë gjendjen e lojtarëve. Mund të dallojmë e vlerësojmë. Eshtë e vetmja mënyrë për të krijuar grupin”, u shpreh Lala

Vështirësia –  i pyetur në lidhje me cilësitë e kundërshtarit dhe rrezikun që mund të pësohen goleada, u shpreh: “Ne kemi individë shumë të mirë dhe s’jam i merakosur nga kjo gjë. Ata kanë lojtarë shumë cilësorë, pasi shumica vijnë nga Italia, ose thuajse janë gjithmonë bashkë. Handikapi ynë i vetëm është se shumica e lojtarëve luajnë jashtë vendit dhe në liga të ndryshme. Problemi më i madh, mendoj është grumbullimi më i shpeshtë, që t’i kesh gjithmonë, por është e vështirë për shkak se UEFA dhe klubet nuk e lejojnë këtë gjë. Kurse, Italia dhe vendet e tjera, ndalojnë kampionatin, dhe kanë të gjithë grupin bashkë”.

Niveli shqiptar – Më pas, Lala është ndalur edhe tek tema e lojtarëve që luajnë në Shqipëri dhe niveli i tyre më i ulët se ai i atyre që luajnë jashtë. Vetëm tre futbollistë që luajnë këtu janë në Kombëtare dhe kjo është një e dhënë shumë shqetësuese: “Rrethi këtu është shumë i vogël, kjo është e vërteta. Sigurisht, i kam parë dhe do të vazhdoj t’i ndjek lojtarët e rinj që janë këtu, por mund të them se cilësitë ndryshojnë shumë me ata që luajnë jashtë. Por, e përsëris, koha e shkurtër që kemi në dispozicion për të punuar me grupin dhe lojtarë të rinj dhe që nuk njihen mes tyre, është problemi madhor”.

Moduli identik – Më pas, në një tjetër temë interesante, në lidhje me modulet tekniko-taktike që Kombëtarja U-19 mund të përdorë, të ngjashëm me atë të ekipit U-21 dhe të Kombëtares A, asaj të De Biazit, Lala ka pranuar: “Mua më pëlqen që të ndjek këtë linjë dhe s’ka nevojë që të bisedoj me De Biazin, pasi është diçka që e kam parë ta bëjnë edhe Kombëtare të tjera dhe mendoj se është në të mirën tonë”.

Refuzimet – Lala ka folur edhe në lidhje me lojtarët që janë në mëdyshje për të zgjedhur ose jo Kombëtaren e Shqipërisë, pasi vendosin kusht për të mos luajtur me moshat, por menjëherë me ekipin e parë, si rasti i Valmir Sulejmanit dhe Donis Avdijajt. “Kam biseduar me Valmir Sulejmanin që jeton në Hanover dhe problematikën e Avdijajt e kam prekur me dorë, siç i thonë. Më bën përshtypje që kur çojmë festën, nëse një futbollist e refuzon, atëherë s’duhet t’i shkojmë nga pas. Pas ndeshjes me Serbinë, kam unë përshtypjen se të gjithë duan të bëhen shqiptarë më të mirë seç kanë qenë dhe duan të vijnë të gjithë përnjëherë. S’duhet të bëhet shumë populizëm. Nëse i dërgojmë një ftesë, s’ka pse t’i dërgohet një tjetër”, u shpreh Lala, që më pas i lë fjalën Redi Jupit: “Ne jemi duke mbajtur një strategji. S’duhet përgjithësuar një kauzë. Edhe mediat bëjnë presion që lojtarët e mirë të mos mbeten jashtë. Por, edhe t’i marim të gjithë në ekip të parë nuk do të funksiononte, sepse do të ngecnin aty. Ka lojtarët që kanë cilësi të zhvilluar. Në vlerësimet e stafit është e pamundur për ne që t’i themi De Biazit ta grumbullojë për një ndeshje dhe ta aktivizojë, për ta mbajtur më pas me Shqipërinë. Ky është një proces, të mos harrojmë që janë 18-19 vjeç dhe vendim të rëndësishëm nuk e marrin dot në këtë fazë. Edhe unë, 40-vjeç, e kam të vështirë të marr një vendim për të ardhmen time pas pesë vjetësh. Në mometin kur vjen një refuzim, ne bëjmë tratativa me lojtarët, por jo gjithmonë ato bëhen publike”.

Problemet – Në lidhje me diferencat mes futbollistëve që luajnë në Shqipëri dhe jashtë, Lala ka dhënë këtë shpjegim: “Qëndron tek mënyra e të stërviturit dhe kushtet. Por, sidomos mentaliteti. Nëse mar rastin tim, por edhe të Redit, jemi larguar të rinj prej këtu dhe jemi stërvitur e rritur profesionalisht me një tjetër frymë. Ndërsa tani, mënyra e të stërviturit ka diferenca. Nëse dikush dëshiron të bëhet futbollist, bëhet, është çështje impenjimi. Edhe nga Shqipëria kanë dalë, edhe pse jo aq shumë si në kohën tonë”, u shpreh Lala, duke i bërë apelim klubeve shqiptare: “Federata nuk bën futbollistë, por i seleksionon. Janë klubet ato që duhet t’i ndihmojnë të rriten profesionalisht. Kombëtarja nuk bën futbollist, por aty vijnë si të përgatitur”.

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here