Lajpcigu largon trajnerin që e çoi në Champions League

Ralf Hasenhytël ka lënë drejtimin e RB Lajpcigut, ka konfirmuar klubi gjerman, pas lajmeve të dala sot në mediat gjermane. Austriaku 50-vjeçar e drejtoi Lajpcigun sezonin e shkuar, duke e kualifikuar për në Champions League me një vend të dytë mbresëlënës, ndërsa kontrata e tij skadonte në vitin 2019.

Megjithatë, Lajpcigu shpjegon se vendimi erdhi pas një takimi me shefin e klubit Oliver Minclaf dhe drejtorin sportiv Ralf Rangnik.

Hasenhytël, i cili drejtonte Ingolshtatin para se të merrte Lajpcigun në verën e vitin 2016, shpjegon: “Nuk ishte ideale të nisja vitin e fundit të kontratës pa një plan afatgjatë të qartë. Klubi e mendoi të drejtë të mos më ofronte një zgjatje kontrate, ndaj kërkova largimin”.

Lajpcigu këtë vit mbërriti deri në çerekfinalet e Europa League, ku u eliminua nga Marseja, por duket se klubi i zotëruar nga Red Bulli ka mbetur i pakënaqur nga vendi i gjashtë i kampionatit aktual.

Tani pritet që Lajpcigu të “gradojë” trajnerin Marko Roze nga Salcburgu në Bundesligën gjermane, pasi bëhet fjalë për klube me të njëjtin pronar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *