Lajme nga Kategoria e Parë, Grupi B

0

Nxitja e Çukos: Lushnja

ka përpara nëntë finale

 

Zv.trajneri karikon myzeqarët për ndeshjet e mbetura. Branica merr lejekalimin, gati për ekipin lushnjar

 

Arjan Likja

 

Lushnja përgatitet të presë në shtëpi Naftëtarin, ndërsa të besuarit e trajnerit Bano vijojnë me intensitet seancat stërvitore në prag të kësaj përballjeje. Zv.trajneri i myzeqarëve, Dritan Çuko, në një prononcim për “Sport Ekspres” shprehet mjaft i vendosur për seriozitetin vlerësues dhe për vijimësinë e rezultateve pozitive edhe në takimet në vazhdim. “Nuk na lejohen hapa fals. Ndaj Naftëtarit nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, sepse kuçovarët kanë pretendime në kampionat, edhe pse të kundërta nga ekipi ynë. Besoj se jemi duke bërë më të mirën e mundshme në përgatitjen e kësaj përballjeje, të cilën e vlerësojmë si një finale, ashtu siç do të bëjmë në çdo takim pasardhës. Nëse në çdo ndeshje do të hyjmë në fushën e lojës me motivimin maksimal nuk kam dyshime se do të dalim triumfues. Jemi në krye të tabelës së klasifikimit, edhe pse e ndajmë këtë privilegj me Bylisin. Do të kërkojmë pikërisht që të shkëputemi nga rivalët tanë dhe të jemi të qetë në majën e Grupit B. Kemi vënë re se së fundmi, reagimi i futbollistëve ka qenë mjaft pozitiv. Kjo na shton më shume besimin se mund ta arrijmë me sukses objektivin tonë, ngjitjen në Superligë”, deklaroi zv.trajneri i Lushnjës, Dritan Çuko.

Përfundon çështja “Branica”- Sulmuesi peqinas, Klejdi Branica i ardhur në formë huazimi nga Shkumbini te Lushnja në fillim të këtij sezoni, ka marrë “OK”-in nga FSHF-ja për të bërë zgjidhjen e njëanshme të kontratës së tij me klubin mëmë. Branicës i skadoi afati kohor i huazimit te lagunarët në fund të fazës së parë. Sulmuesi kërkoi zgjidhjen e kontratës te klubi peqinas me dëshirën për të qenë pjesë e ekipit verdhjeshil edhe për gjysmën e dytë të këtij sezoni. Kjo kërkesë nuk iu aprovua nga peqinaset, duke e detyruar sulmuesin në fjalë t’i drejtohej komisioneve përkatëse në FSHF për zgjidhjen e njëanshme të kësaj kontrate. Branica paraqiti si argument mos shlyerjen së disa detyrimeve financiare nga ana e klubit peqinase në adresë të tij. Në takimin e radhës që lushnjarët do të luajnë këtë fundjavë ndaj Naftëtarit, sulmuesi Branica do të jetë i gatshëm për trajnerin Bano.

 

Sako: Luftëtari?

Ndeshja e radhës.

S’njohim eufori

 

Mesfushori i ballshiotëve ka besim se skuadra do të bëjë më të mirën edhe ndaj bluzinjve e do të synojë marrjen e tri pikëve

 

Ermal Sako është një nga pikat e forta të skuadrës së Bylisit, Një lojtar mjaft energjik, fjalëpak e punëshumë, Sako, në Ballsh ka gjetur veten. Fieraku, si një nga lojtarët më me eksperiencë te Bylisi, në një prononcim për “Sport Ekspres”, është shprehur: “Skuadra është në rrugë të mbarë, jemi në krye me meritë, si një skuadër pa aleanca japim më të mirën në stërvitje, çka konfirmohet edhe në ndeshjet zyrtare. Bylisi ndonëse është një skuadër që po luan në Kategorinë e Parë, funksionon si një klub Superlige. Jemi një skuadër e mirëpërgatitur, me staf të përkushtuar, me kualitete si dhe me një korrektesë financiare nga presidenca jonë”, – thotë Sako, i cili shton se sfida ndaj Luftëtarit është thjeshtë ndeshja e radhës dhe se skuadra nuk e njeh euforinë. “Na pret një ndeshje me Luftëtarin, në skuadër nuk ka vend për eufori dhe s’ka pse të ketë, sepse kemi bërë vetëm detyrën. Për ne të gjitha ndeshjet janë si finale dhe ne synojmë maksimumin. Luftëtarin e vlerësojmë dhe kam besim se me mbështetjen e tifozëve ne do të marrim tri pikët”, ka pohuar Ermal Sako, mesfushori i skuadrës së Bylisit.

 

Sopoti nuk e diskuton Dinamon

“Fitojmë dhe mbetemi në garë”

 

Drejtori teknik, Binishi beson ende tek misioni “Superiore”

 

Drejtuesit e klubit të Sopotit janë duke vijuar bisedimet për të gjetur stadiumin ku do të luhet takimi kundër Dinamos. Sakaq, skuadra po stërvitet me intensitet për ndeshjen e fundjavës, ndonëse akoma nuk është vendosur se ku do të zhvillohet kjo përballje tepër e rëndësishme. Klubi librazhdas është duke u menduar për këtë sfidë dhe shumë shpejt do të përcaktojë fushën, teksa me shumë gjasa mund të luhet në stadiumin e Peqinit ose ose atë të Pogradecit. Në një prononcim për gazetën “Sport Ekspres” drejtori teknik i vjollcave, Nesti Binishi është shprehur se barazimi i fundit është harruar, ndonëse ishte një rezultat që i ka prishur shumë punë pasi janë lënë dy pikë mjaft me peshë. “Megjithatë kampionati është i gjatë dhe kemi dhe një fazë përpara kështu që do bëjmë ç’është e mundur për t’ju afruar edhe më shumë vendit të parë dhe më pas ta kalojmë. Këtë fundjavë presim blutë nga kryeqyteti, të cilët kanë rënë shumë kohët e fundit, pasi nga skuadër pretendente tani po diskutojnë mbijetesën. Kështu që ne nuk do ta llogarisim fare Dinamon, pasi do ta mundim shumë lehtë për të treguar se kemi një synim të qartë këtë sezon të ngjitemi në Superligë”, thotë Binishi. Më tej, drejtori teknik i Sopotit shprehet se kanë një skuadër të kompletuar në çdo drejtim kështu që mundësitë i kanë dhe duhet ti shfrytëzojmë në maksimum duke mos bërë asnjë gabim në takimet që do të vijnë. “Boll pikë kemi lënë rrugës kështu që duhet të jemi sa më të saktë duke fituar që në pjesë të parë dhe për ta patur më të lehtë në të dytën. Dinamo nuk na tremb”, thekson ai. Në përfundim drejtori teknik i librazhdasve, Nesti Binishi është shprehur se uron që rivalët të ndalen për t’ju afruar edhe më shumë.

Mariglen MIRAKA

 

 

Naftëtari, presidenca premio

për fitoren ndaj Lushnjes

 

Naftëtari do të ketë një sfidë mjaft të vështirë këtë javë pasi do të përballet me Lushnjën kryesuese. Dy skuadra me pretendime të kundërta, por Naftëtari kërkon me çdo kusht që të mos dalë pa pikë nga kjo transfertë. Mbrojtësi Lisjan Hadaj tregon për “Sport Ekspres” se presidenca e klubit bardhezi, me në krye kryebashkiakun Bardhyl Gjyzeli kanë premtuar një premio speciale, së bashku me disa biznesmenë të qytetit të Kuçovës, në rast se arrihet një fitore në Lushnjë. “Jemi të dijeni të këtij fakti, por shpërblimi material është thjesht një nxitës më shumë për Naftëtarin. Parësore, ajo për të cilën luftojmë javë pas jave për të marrë rezultate pozitive është që fanella e kësaj skuadre të mos e provojë më Kategorinë e Dytë. Do të bëjmë të pamundurën edhe ndaj Lushnjës për të marrë të paktën një pikë. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ky vlerësim që kemi për këtë kundërshtar do të na mobilizojë edhe më shumë”, përfundon Hadaj. Edi SPAHIU

 

 

Tomori, Arbëri i bindur:

Fitojmë ndaj Pogradecit

Tomori vijon përgatitjet për takimin e radhës, atë ndaj Pogradecit. Për beratasit nuk janë stërvitur dje për arsye dëmtimi, kapiteni Arbëri, sulmuesi Mile dhe mbrojtësi Kuçi. Të tre futbollistët kanë qenë dje nën kontrollin e stafit mjekësor të Tomorit, që po bën të pamundurën për rikthimin e tyre në kohë për takimin ndaj Pogradecit. Për drejtorin sportiv të klubit, Klodian Arbërin, ky 90-minutësh do të flasë për Tomorin, duke garantuar se skuadra beratase do të japë maksimumin për tri pikët. “Për shkak të disa rezultateve zhgënjyese në fazën e dytë kemi pësuar rënie në tabelën e klasifikimit. Por kthesa e Tomorit do të vijë në këtë fazë përmbyllëse të kampionatit. Kjo do të startojë që në takimin e radhës atë ndaj Pogradecit. Shpresojmë që tre lojtarët tanë, Arbëri, Kuçi dhe Mile të rikthehen sa më parë. Mendoj se do të jetë një përballje mjaft e vështirë, por do të kërkojmë me doemos tri pikët. Jam i bindu se Tomori nuk do të zhgënjejë ndaj liqenorëve”, përfundoi Klodian Arbëri. Edi SPAHIU

 

Turhani: Për Shkumbinin,

çdo ndeshje si finale

Kampionati i Kategorisë së Parë ka ardhur në fazën kyçe të tij. Nëntë takimet e kësaj faze përbëjnë ndeshje finale për peqinasit të cilët janë duke kërkuar mbijetesën. Edhe për sfidën ndaj Butrintit, mbrojtësi qendrës së Shkumbinit, elbasanasi Xhulian Turhani beson se ai dhe shokët e tij do japin maksimumin në çdo sfidë për të arritur objektivin. “Kemi një tjetër sfidë të vështirë, por për ne kjo fazë është jetike. Na duhet të vlerësojmë dhe të japim më të mirën në çdo përballje, pasi synimi i Shkumbinit është mbijetesa. Besoj se të gjithë ne jemi më se të karikuar ndaj dhe takimin kundër Butrintit do ta vlerësojmë maksimalisht. E dimë se sarandjotët kanë një ekip të fortë ndaj asgjë nuk do të jetë e lehtë. Por do mendojmë që nuk kemi ç’të humbasim ndaj të kërkojmë gjithçka pozitive. Shpresoj që të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze e mbi të gjitha të arrijmë një rezultat pozitiv”, mbyll prononcimin e tij mbrojtësi Turhani.

 

“Kush s’ka besim se marrim

pikë në Ballsh të mos luajë”

 

Luftëtari/ Gjoni bën “presion” lojtarëve para transfertës

 

Ajo që ka ndryshuar në përgatitjen e skuadrës së Luftëtarit në dy ditët stërvitje me ardhjen në pankinë të dyshes nga Burreli, Gjoni-Gjokaj, është koha e stërvitjes. Më shumë se dy orë dhe përpara fillimit të saj trajneri Vladimir Gjoni bashkëbisedon me futbollistët duke ua bërë të qarta detyrat, por edhe i përgatit psikologjikisht. Luftëtarin e pret një transfertë e vështirë, pasi do të luajë në Ballsh me vendasit e Bylisit, skuadër pretendente për vendin e parë në grup, ndërkohë që Luftëtari rrezikon rënien nga kategoria. “Kush nuk ka besim se dalim pa pikë nga kjo ndeshje, mendon gabim dhe është mirë ta thotë këtu dhe do ta këshilloja të mos futej në formacion. Në fushë jemi të barabartë dhe do të luajmë jo për të humbur, ndaj të mos frikësohemi dhe të japim në lojë atë që dimë. Dhe mesa shoh ju nuk jeni të paditur, por mungon besimi në fitore, ndaj dhe dy pikë në nëntë ndeshje janë shumë pak. Transfertat janë të vështira, por nëse mobilizohemi të gjithë së bashku ja dalim të fitojmë”. Kështu u është drejtuar futbollistëve trajneri Gjoni dhe gjatë stërvitjes është treguar tepër aktiv duke kërkuar nga futbollistët më shumë përqendrim në procesin stërvitor. Ditën e djeshme me skuadrën ka zhvilluar edhe ndeshjen e kontrollit. Në grupin që mendohet se do të jenë titullarë ndaj Bylisit ishin po ata lojtarë që kanë qenë edhe më parë, me ndonjë ndryshim në mbrojtje, por në rreshtim Gjoni bëri disa spostime vendesh. Frashëri u pozicionua në mbrojtje dhe Ergys Mersini në mesfushë. Shenaj mori përsipër rolin e organizatorit. Braho dhe Tahirllari do të jetë dyshja sulmuese edhe ndaj Bylis. Rexha, Dosti, Brahimi, Duka e Çaço ishin pjesë tjetër e skuadrës që mund të përballet me Bylisin të shtunën. Ka një ndryshim përgatitja e skuadrës gjirokastrite, kjo e kuptueshme në rastet e ndërrimit të trajnerëve, por duket se ka edhe një monitorim ndaj tyre jashtë procesit stërvitor për të qenë të gatshëm në sfidën e së shtunës.

Gëzim Beqiri

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image