Lajme nga Kategoria e Pare

0

Dinamo Sejdini dhe

lojtarët në “ajër”

 

Dinamo ka marrë pushimet fill pas ndeshjes me Tomorin dhe ende nuk ka asnjë datë për ndonjë organizim për sezonin e ardhshëm, apo ndonjë analizë për edicionin që sapo u mbyll. Në fakt, një gjë e tillë, ka ndodhur rëndom tek blutë në këto vitet e fundit, kur kanë qenë pjesë e Kategorisë së Parë. Dinamo e këtij sezoni, u ndërtua për të qenë pretendente, por në fund arriti që të diskutojë edhe mbijetesën! Blutë u drejtuan nga dy trajnerë, Dritan Mehmeti që dha dorëheqjen fill pas ndeshjes me Bylisin, kur skuadra e tij u mund 2-1 në Tiranë si dhe Faruk Sejdini. Megjithatë, e ardhmja duhet që të jetë ndryshe për blutë. Flitet se skuadra ka ende një rrogë për të marrë dhe administratori Ismet Saliu ka dalë garant, duke premtuar korrektesë. Në fakt ana financiare nuk ka qenë aspak problem për blutë këtë sezon, sepse skuadra është mirë paguar, madje edhe pse ka dalë nga objektivi, por thuhet se janë shlyer edhe shpenzimet për serbin Putinçanin. Megjithatë, për të ardhmen askush nuk flet, trajneri Faruk Sejdini dhe lojtarët janë në ajër, madje disa prej tyre duket se do të rikthehen dhe të luajnë në Superligë. Blutë e sezonit të ardhshëm, duhet që ta nisin punën nga kompleksi, për të synuar më pas Superligën.

 

Jahaj: Pogradeci

meritonte më shumë,

e ardhmja më e mirë

Pogradeci arriti që t’i shpëtojë ndeshjes shtesë falë barazimit që mori në Kuçovë, në javën e fundit të kampionatit. Një nga titullarët e skuadrës së trajnerit Ardjan Abazaj, mesfushori me tipare sulmuese, Sajmir Jahaj, i cili ka qenë edhe i dëmtuar në edicioni që u mbyll, për “Sport Ekspres”, ka theksuar: “Fundi na buzëqeshi dhe ndoshta mund të them që ishte ndeshja më e vështirë e kampionatit. Janë momente që nuk duhen harruar ndoshta dhe një kampionat i tërë. Gabimet e bëra në disa takime ishin me pasoja, gjë që na vuri tepër në vështirësi. Tashmë jemi çliruar plotësisht nga pesha e kampionatit, por do të vazhdojmë stërvitjen dhe disa ditë, për të pritur pas një muaji rifillimin e stërvitjes në mënyrë të organizuar. Nuk besoj që të ketë largime nga ekipi. Sidoqoftë, është herët të flasim”, tha Jahaj.

Butrinti e ardhmja në udhëkryq

Butrinti, një javë më parë mbylli sezonin e tij të katërt në Kategorinë e Parë, ndoshta edhe nga më të mirët e futbollit sarandiot, edhe pse në fund u mbyll me ndeshje të toleruara haptazi. Sidomos takimi me Lushnjën në “Andon Lapa”, çka solli edhe irritimin e tifozëve vendas dhe lojtarëve, ku Dorti braktisi edhe ndeshjen. Por, duket se e ardhmja e skuadrës është vërtetë në udhëkryq. Lojtarët “jabanxhinj” janë larguar sepse u ka përfunduar kontrata, ndërsa gjithçka do të varet nga zgjedhjet e 21 Qershorit. Kryebashkiaku aktual, Stefan Çipa që mbante edhe postin e presidentit në ekip, nuk është rikandiduar, ndaj edhe nuk dihet nëse Butrinti do të trajtohet ashtu si Çipa edhe nga kandidatët e tjerë në rast se fitojnë zgjedhjet apo jo?!

 

Tre trajnerë dhe

shumë sakrificë, në

Peqin presin ndryshime

 

Sezoni që sapo lamë pas i ka bërë të mundur peqinasve t’i gëzohen mbijetesës. Ky qëndrim ka ardhur mbas vështirësive të mëdha por edhe me sakrifikimin e tre trajnerëve deri në fund të sezonit. Nga fillimi i kampionatit deri në fundin e tij Pashja, Gjyla dhe Filja kanë qenë në krye të pankinës peqinase.

Pashja – E ka marrë ekipin në momente shumë të vështira dhe ka punuar me një përkushtim të madh për thuajse tre muajt e verës së kaluar në një fazë përgatitore në shtëpi. Kjo e bëri që vetë ish kapiteni ndonëse gëzon një formë të mirë sportive të sakrifikonte të luajturit për drejtuar ekipin në të cilin kontribuoj për më shumë se 15 sezone. Por, vetëm dy janë në krye të pankinës i janë dashur atij për të vendosur largimin nga drejtimi i ekipit. Menjëherë pas tij në krye të pankinës ka ardhur trajneri Lushnjar Ilir Gjyla i cili po ashtu bëri një punë të kënaqshme me grupin dhe dha një kontribut të vlefshëm. Për arsye personale edhe trajneri Gjyla largohet më 17 Mars nga drejtimi i Shkumbinit dhe në javët në vazhdim deri në fundin e kampionatit është trajneri elbasanas Ilirjan Filja ai i cili ka drejtuar Shkumbinin. Me mbylljen e aktivitetit i gjithë ekipi është në ditët e pushimit dhe do të duhet pak javë për të përcaktuar nëse edhe për sezonin e ardhshëm do të jetë sërish Filja apo ndonjë trajner tjetër në krye të pankinës peqinase.                         Lulzim RESULI

 

Qarku i Beratit, ku futbolli ka prekur “fundin”!

 

Tre qytete në Inferiore, Tomori dhe Naftëtari që kanë lënë gjurmë në elitën e futbollit shqiptarë, por i kanë dhënë shumë emra Kombëtares por edhe Skrapari, sezonin e ardhshëm do të përfaqësohen në ligën e ulët

 

Edi SPAHIU

Si rallë herë në këto 25 vite të pas ndryshimit të sistemit të kaluar, nuk kishte ndodhur që skuadrat e të njëjtit qark siç është ky i Beratit në rastin konkret, të jenë pjesëmarrëse në kategorinë inferiore përsa i përket sezonit të ardhshëm futbollistik 2015-2016. Fjala është për ekipe si: Tomori, Naftëtari, dhe Skrapari, të cilat në mënyrë të veçantë gjatë dekadës së fundit kanë provuar si përfaqësimin dinjitoz në kategorinë Superiore ashtu edhe në Kategorinë e Parë. Ndërsa tani fatkeqësisht dështimi është total dhe shumë i njohur nga ana e gjithë opinionit futbolldashës të këtij qarku. Pra, një Qark mjaft i madh, por që e kanë lënë plotësisht të “aneksuar” nga harta gjeografike e futbollit shqiptar që të paktën ose minimalisht duhej të përfaqësohej me dy skuadra në Kategorinë e Parë.

ECURIA – Në fund të edicionit të sapo përfundoi, si Tomori ashtu edhe Naftëtari, realisht vuajtën nga sindroma e gjykimeve të njëanshme (rastet janë të ilustruara me dy prej tyre si: Erzenin dhe Dinamon për skuadrat respektive), por që kjo nuk duhet domosdoshmërisht që të fshihen pas gishtit edhe faktorët përgjegjës të këtyre skuadrave. Pasi faktet që janë kokëfortë, kanë treguar se ka mungesë të theksuar profesionalizmi dhe organizimi, të cilat ose fshihen para syve të opinionit futbolldashës dhe qytetar, ose në mënyrë të qëllimtë anashkalohen nga analiza e përgjegjshme.

TOMORI – Skuadra më e njohur dhe më e rëndësishme e qarkut e cila ka një histori sa të njohur me 47 pjesëmarrje në kategorinë më elitare të futbollit shqiptar. Madje, është shpallur nënkampione e vendit pas takimit shtesë në finale ndaj Tiranës në Elbasan në sezonin 1999-2000, por duke hyrë në histori së bashku me një finale Kupe në vitin 1964 ndaj Partizani. Ka edhe pjesëmarrje në Kupën Ballkanike dhe që ka nxjerrë futbollistë të njohur dhe shumë të talentuar si: L. Hodo, T. Zaho, R. dhe A. Kokalari, S. Dyli, A. Arbëri, K. Bozgo, P. Kovaci, I. Caushllari, A. Matrapazi, P. Cilingiri, A. Ziu, Y. Karkanjozi, trajnerin e mirënjohur G. Mukli, dhe dhjetra e dhjetra futbollistë të tjerë të njohur që krijuan traditën e shkëlqyer. Por, që aktualisht sportdashësit në Berat jetojnë me traditën e krijuar dhe ku dështimi i sezonit të kaluar ka ardhur edhe jo aq rastësisht.

FINANCAT – Këtë sezon ku dhe po për çudi është rritur granti me 200 milion (Nasufi deklaron se duheshin larë borxhet e mbartura prej vitesh !) dhe ku jo vetëm kampionati nis me pretendime dhe për dy faza ka qenë në lojë skuadra, por që pavarësisht rastit Vrucina kur ju zbritën tre pikë nga FIFA sërish Tomori nuk duhej të diskutonte mbijetesën. Dështimi ka ardhur prej faktit se në dy ndeshjet ndaj Naftëtarit në Berat skuadra la pikë për të mos thënë që i dhuroi ato, ndërsa po kështu dy humbjet ndaj Lushnjës po në shtëpi si dhe ajo me Butrintin u shoqëruan me shumë dyshime për tolerim. Për të mos thënë që humbja katastrofike që është më e rënda dhe më e turpshme në Ballsh rezultoi një skandal i vërtetë që u shoqërua edhe me shkarimin e stafit teknik.

NDRYSHIMET NË STAF – Largimi i Muxhait që kishte zëvendësuar Eqerem Memushin gjatë këtij kampionati nuk është se solli ndonjë ndryshim. Sepse vërtetë që në krye u rikthye për të katërtën herë ish-tekniku Kristaq Mile, por edhe ky pati një bilanc akoma më negative. Mile, në pesë ndeshje ka fituar një me Shkumbinin në shtëpi që ishte një ndeshje miqësore, dhe pësoi katër humbje ku më e rënda ishte ajo ndaj Dinamos që u eksperimentua në formacion edhe pse kërkohej me çdo kusht pika ose fitorja. Por, ndeshja përmbyllëse ndaj Erzenit ishte për faqe të zezë, ku një skuadër jashtë çdo detyre taktike dhe e padisiplinuar u ndëshkua nga një kundërshtar krejt pa nivelin dhe forcën e duhur. Më parë se të akuzojnë kryesorin Kridenc Meta që vërtetë ka gjynahet e tij, duhet kërkuar llogari tek vetja. Tomori, humbet tri raste të arta për gol që mund të kishte mbyllur hesapet me shijakasit.

NAFTËTARI – Ashtu si beratasit edhe kuçovarët janë një nga skuadrat e njohura të futbollit shqiptar që kanë patur kulmin e tyre në shekullin e kaluar me futbollin e jashtëzakonshëm sulmues. Kanë lënë mbresa të pashlyeshme deri në ditët tona qysh nga ajo periudhë, ku futbollistë të tillë si: V. Skuro, R. Gega, A. Prifti, A. Koci, B. Sulejmani, F. Ismaili, D. Hoxha, I. Dashi, M. Xhyberi, S. Duli, etj, që drejtoheshin nga trajneri i famshëm A. Mukavelati. Por edhe brezi i dytë që pasoi me talente të mëdhenj si: G. Gega, R. Makashi, E. Voda, M. Bonjaku, R. Kocani, etj, kanë luajtur jo vetëm futbollin më të bukur të kohës por edhe kanë gjunjëzuar skuadrat më në emër të kampionatit elitar shqiptar. Aq sa të gjithë ndjejnë nostalgji për futbollin sulmues që bëri të shkëlqente qyteti i Kuçovës. Mirëpo, referuar historisë dhe traditës së dikurshme dhe asaj që gjendet në këtë periudhe prej gati një dekade Naftëtari, duket që ka një hendek të thellë dhe krahasimi është si dita me natën. Sepse sezoni i kaluar solli një skuadër në antitezë me traditën dhe kërkesat e mëdha të sportëdashësve vëndas që kërkonin skuadrën të paktën të qëndronte në kategori.

STAFI – Por, që me tre trajnerë brenda një sezoni që nisi me vlonjatin Bifsha, u pasua me dy vendas si A. Kanani dhe së fundi B. Fraholli, dhe për më tepër me rezultate që herë ishin të një niveli mesatar sipas lojës që zhvillonin dhe herë me dështime të mëdha në vecanti në ndeshjet në shtëpi, sigurisht që duke barazuar plot 9 herë gjatë kampionatit dhe ku gjashtë të tillë ishin në shtëpi.

FINANCAT – Tek Naftëtari ka munguar një sponsor, edhe pse në gjashtë muajt e fundit biznesmeni vëndas Toni Bardhi ka dhënë gjithçka në mënyrë vullnetare për skuadrën dhe nuk është përkrahur aspak nga Bashkia.

SKRAPARI – Para pesë sezoneve në katër qëndrimet radhazi në Kategorinë e Parë, ku edhe kanë bërë një figurë të shkëlqyer, tek Skrapari është parë jo vetëm “dora e ngrohtë” e politikës lokale dhe asaj qendrore që ka deleguar edhe sponsor të fuqishëm që kanë ndërtuar një skuadër mjaft cilësore dhe me pretendime. Ku biznesmenë të njohur si L. Metani dhe në veçanti Hysen Caka njeriut të cilit e gjithë Çorovoda i detyrohet shumë për investimin prej qindra miliona lekë, i dhanë vlera futbollit skraparlli. Skrapari ose ndryshe “5 Shtatori” i dikurshëm ka qenë një nga skuadrat më të forta të Kategorisë së Dytë dhe nga më cilësoret. Në Çorovodë në sistemin komunist kanë luajtur për shkak të biografisë së keqe dhjetëra emra të njohur të futbollit shqiptar si: Gëzim Kasmi, Paulin Ndoja, Sabri Dyli. Por edhe shumë talente vendas si portierët: M. Bregu, V. Bega, D. Naço, dhe futbollistë si ikona: A. Çeço, F. Cërri, K. Mile, etj.

RËNIA – Në dy sezonet e fundit edhe pse mbështetja financiare ka qenë shumë sipërfaqësore, sërish nisur edhe nga mungesa e elementit cilësor vendas. Si në shumë qytete edhe në Skrapar, sapo përfundojnë shkollën e mes, largohen me studime në kryeqytet, madje vijojnë edhe futbollin në ekipe të ligave të ulëta nëë Tiranë ose qytetet më afër.

E ARDHMJA – Falë punës së palodhur të dyshes drejtuese të teknikut Albert Spahiu dhe ndihmësit të tij Genci Lamce, Skrapari që njihet si shumë i fortë dhe “muskuloz” në politikë është mjaft i dobësuar në futboll. Njerëzit kërkojnë që qytetit ti rikthehet futbolli në nivelin e pjesëmarrjes në Kategorinë e Parë, sepse të gjithë janë koshientë për mundësinë që ekziston falë dhjetëra biznesmenëve të fuqishëm të kësaj treve, që siç e shprehin me nota humori në Çorovodë ata hidhen në aksion dhe po të duan e ngjitin Skraparin edhe në Superligë, po qe se ju bën një zë “Komandanti” pa zërin e të cilit askush nuk investon qoftë edhe në futboll!

 

Mamurrasi, porta

jep garanci, Bytyçi

drejt rinovimit

 

Besnik Malaj, trajneri i portierëve të skuadrës së Mamurrasit në një prononcim për gazetën “Sport Ekspres”, ka thënë se takimi i presidentit Ded Ndreca me një grup lojtarësh që kanë përfunduar sezonin ka dhënë efektet dhe kësisoj Malaj pret të konfirmojë edhe një sezon tjetër “gardianin” Mario Bytyçi. “Mund të quhet një nga portierët më të shquar të Kategorisë së Parë, pasi në disa ndeshje deçizive ai ka treguar talent dhe zgjidhje të situatave të vështira”, ka nisur prononcimin e tij trajneri Malaj. Trajneri i portierëve, Besnik Malaj, duket shumë objektiv nga konfirmimi i këtij portieri pranë skuadrës mamurrzake për zgjatjen e kontratës edhe për një vit tjetër. Pas tij janë dhe të tjerë lojtarë që do të pranojnë qëndrimin në këtë skuadër pasi kanë treguar grintë në këtë sezon futbollistik që sapo është mbyllur. Portieri Bytyçi në ndeshjen e fundit ndaj Adës nuk është aktivizuar si portier, por në pjesën e dytë të lojës ai është futur në fushën e lojës si lojtar sulmues. Mamurrasi, kishte në portë dy portierë, Bytyçin dhe Sejdon edicionin e shkuar në gjysmën e dytë të garës, sepse Moçka u largua pas fazës së parë.                     Adelajda Hima

 

Gjoni e ëndërron Burrelin në Superiore

 

Nuk dihet nëse matjani do të vijojë të drejtojë Luftëtarin apo do të rikthehet në shtëpi sezonin e ardhshëm

 

Ish trajneri i matjanëve, Vladimir Gjoni, thotë se Burreli prej dekadash ka shkëlqyer me lojën e futbollit, por ëndërron që në fund të sezonit të ardhshëm ta shikojë ekipin e vendlindjes në Kategorinë Superiore. “Ëndrra ime e kahershme është ta shoh skuadrën e Burrelit një kategori më lart. Unë kam besim të plotë se matjanët do të bashkojnë forcat, financat dhe dëshirën për t’i dhënë Burrelit atë që realisht meriton”, shprehet Gjoni. Ai shton se gërshetimi i kontributeve të pushtetit lokal, biznesit privat dhe mbi të gjitha i sportistëve do të bëjë atë që tifozët matjanët dëshirojnë prej vitesh. “Mati, thotë Gjoni, ka aktualisht burime të mira njerëzore. Është bërë një punë kolosale nga ish futbollistët e Burrelit për përgatitjet e lojtarëve të rinj. Një kontigjent cilësor lojtarësh janë gjendje dhe mund të federohen kampionatin e ardhshëm me skuadrën e Burrelit. Po ashtu me ndihmën e donatorëve mund të sigurohet lojtarë me përvojë dhe cilësorë”.                               HASAN PASHA

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.