Lajm i keq për Kolumbinë, sulmuesi humbet Kupën e Amerikës

Kolumbia arriti një fitore të madhe kundër Argjentinës. Ekipi i drejtuar nga portugezi Kieroz mposhti 2-0 Argjentinën e Mesit për llogari të Kupës së Amerikës, që zhvillohet në Brazil.

Trepikëshi i parë i ka lumturuar të gjithë në kampin kolumbian, por shqetëson dëmtimi i Luis Muriel. Ndeshja e sulmuesit nuk zgjati më shumë se 14 minuta. Dëmtimi në gjurin e majtë bëri të vetën dhe 28-vjeçari u detyrua t’i linte vendin Roxher Martinezit, i cili zhbllokoi sfidën me golin e shënuar.

Kontrollet e detajuara kanë hequr frikën e madhe të thyerjes së ligamentit, por kompeticioni ka marrë fund për lojtarin. Muriel ka pësuar zgjatje të ligamentit dhe do i duhet të qëndrojë pushim 4-6 javë, kështu që lamtumirë Kupa e Amerikës!

Lojtari mbylli sezonin e fundit me Fiorentinën, ndërsa kartonin e tij e zotëron Sevija. Atalanta dhe Milani interesoheshin për shërbimet e tij, por dëmtimi i pësuar ia komplikon akordin me ekipin e ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *