Lacio kalon në gjysmëfinale, Strakosha nuk preket

Finaliste në Kupën e Italisë sezonin e shkuar, Lacio duket se e ka seriozisht edhe këtë sezon, sepse sot mundi 1-0 Fiorentinën në çerekfinalen e luajtur në “Olimpico”. Gol vendimtar që në minutën e gjashtë, me Luliç që dribloi Gaspak dhe shënoi me një gjuajtje të saktë duke mundur portierin mik Dragovski.

Të dyja palët lanë pushim disa titullarë, duke nisur nga sulmuesit kryesor Imobile e Simeone, por Lacio u pa qartë që ka një stol më të mirë, sepse fitoi me meritë dhe nuk rrezikoi thuajse fare në aspektin mbrojtës.

Titullar si gjithnjë Thomas Strakosha, i cili pati shumë pak punë realisht, sepse në minutën e 65-të kreu pritjen e parë dhe të vetme të vështirë të ndeshjes, duke devijuar në këndore një gjuajtje mjaft të rrezikshme. Në minutën e 79-të portieri ynë u ndëshkua me karton të verdhë për vonesë të shkelmimit të një rivënieje fundore.

Në gjysmëfinale Lacio do të ndeshet me fituesin e derbit Milan-Inter, që luhet nesër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *