Laçi, shqetëson i riu Fangaj

Mbrojtësi shkodran, i aktivizuar titullar në katër ndeshjet e para të kampionatit, nuk është stërvitur me ekipin

Vladimir Prenga

 

Laçi ka kryer dje dy seanca stërvitore, teksa skuadra ka punuar paraditet nën urdhrat e trajnerit Gentian Mezani në Kamzë, ndërkohë që pasdite ekipi ka udhëtuar drejt Laçit për të përmbyllur programin stërvitor. Sot pritet që mes grupit të ketë një ndeshje kontrolli për të pushuar më pas ditën e diel. Prej të hënës gjithçka do të përqendrohet te ndeshje e së enjtes me Skënderbeun në Korçë. Për këtë ndeshje do të jetë i gatshëm edhe sulmuesi Rexhinaldo, i cili e ka kaluar dëmtimin dhe pritet të debutojë me Laçin. Nëse luan titullar apo, mbetet për t’u parë gjatë seancave stërvitore. Ish-futbollisti i Luftëtarit ishte një nga afrimet kryesore të verës, por një tërheqje e pësuar në pulpë e la 28-vjeçarin për një muaj jashtë fushave të blerta. Vetëm këtë javë Rexhinaldo provoi të luajë me grupin, pasi më parë kishte kryer vetëm terapi dhe ish-trajnuar në palestër, për të nisur më pas vrapimet në fushën e blertë.

FANGAJ – Në ndeshjen me Vllazninë trajneri Gentian Mezani zgjodhi të luajë nga minuta e parë me Abdurrahman Fangajn, pasi mbrojtësi Harallamb Qaqi kishte vetëm pak ditë që ishte rikthyer dhe nuk kishte kondicionin e duhur. Shkodrani që pas pesë ditësh mbush 20-vjeç nuk është stërvitur dje me grupin, pasi ka ndjerë një shqetësim në pulpë dhe pas kontrolleve mjekësore i është rekomanduar që të qëndrojë për 3-4 ditë pushim. Situata e mbrojtësit do të mbahet nën vëzhgim nga mjekët, në mënyrë që të mos hidhet në fushën e lojës pa u rikuperuar plotësisht dhe të rrezikojë ndonjë dëmtim tjetër. Të paktën deri të hënën ai pritet të pushojë dhe më pas do të ketë edhe një kontroll tjetër për të parë gjendjen e tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *