Laçi në hall, Selmani kthehet në prill

Deri para pak javësh ishte lojtari i vetëm që nuk kishte munguar asnjë minutë në Superiore këtë sezon, por Gentjan Selmani pritet t’i mungojë Laçit për dy javët e ardhshme të kampionatit.

Kapiteni dhe portieri i bardhezinjve prej kohësh po vuan në këmbën e djathtë, teksa një vizitë e specializuar në qendrën mjekësore të Juventusit, ka evidentuar lodhjen e muskujve, problem i cili kërkon një kohë prej 15 deri në 20 ditë për t’u rikuperuar.

Selmani do t’i mungojë ekipit në dy ndeshjet tejet të rëndësishme në kampionat, ndaj Teutës dhe Partizanit, si dhe në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë ndaj Kukësit. Kapiteni bardhezi ka marrë garancinë nga mjekët e Juventusit, që rikthimi i tij do të jetë i shpejtë dhe i plotë, për të dhënë kontributin në sprintin final të sezonit për Laçin.

Selmani është vetëm 20 vjeç, por prej tre sezonesh është kthyer në një pikë kyçe të Laçi, që ka pasur guximin t’i besojë vendin në formacion, diçka që pak klube në Shqipëri e bëjnë me të rinjtë. Në vend të Selmanit do të luajë 19-vjeçari Vata, i cili i ka luajtur dy ndeshje në Superiore javët e fundit dhe ka herë figurë të mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *