Laçi mundet në Krujë, Nica: Lojtarë pa shpirt gare, nuk kemi as kohë

Bujar Balliu

Kastrioti  ka mposhtur Laçin në miqësoren e zhvilluar dje në stadiumin “Kastrioti” të qytetit të Krujës. Me golat e Kabirusë me penallti dhe Xhaferrit, skuadra e Nikajt, ka dominuar miqësoren dhe ka marrë një fitore morale duke pasur parasysh faktin se përballë ka pasur një skuadër të elitës si Laçi…  

NDESHJA – Në minutat e para të dy ekipet studiuan njëra-tjetrën dhe vetëm në minutën e 20-të Boci kroson në zonë aty ku Mziu gjuan me bukur, por ndërhyrja e Segjinit është vendimtare. Kundërpërgjigjen miqtë me Eskuerdan, i cili nga një goditje dënimi provon portën, por Kuka grushton dhe shpëton për mrekulli. Në të 35-ën është Caca i vendasve që jep një asist për Kabirunë, i cili depërton në zonën kundërshtare, por Vata ndërhyn keq ndaj tij, dhe për kryesorin ka penallti. Ekzekuton sulmuesi me ngjyrë i cili nuk gabon dhe 1-0, rezultat me të cilin mbyllet pjesa e parë.  

Në pjesën e dytë të ndeshjes, kryhen shumë zëvendësime, por miqtë e rrisin nivelin e lojës, është Uzuni i cili në dy raste rrezikon, por i pafat përpara porte. Në të 75-ën Ademir, dërgon një “predhë” në drejtim të portës, por grushton Spahija, duke i mohuar një gol të sigurt miqve nga Laçi. Në të 83-ën, krutanët me anë të një kundërsulmi arrijnë të dyfishojnë rezultatin, është Borshi, ai që fut një kros në zonë dhe Xhaferri e dërgon topin në rrjetë duke  “vulosur” fitoren 2-0 për skuadrën e Nikajt. Një fitore që tregon se skuadra e Nikajt është në rrugë të mbarë në prag të startit të sezonit të ri futbollistik.

Pas ndeshjes…

SAMUEL NIKAJ, trajneri i Kastriotit: “Nuk e nisëm si duhet, megjithatë me kalimin e minutave dolëm në lojën tonë. Ato pak gabime që bëmë gjatë 30-të minutave të para shpresoj që ti ndreqim deri në fillimin e kampionatit. E përgjithshmja, jam i kënaqur nga paraqitja e skuadrës”.

STAVRI NICA, trajneri i Laçit: “Skuadra nuk ka shpirt gare, kemi probleme sepse dy janë faktorët për të bërë ekip për Superiore. Lojtarët edhe koha, faktikisht, të dyja janë me probleme, edhe lojtarët nuk janë cilësorë, edhe koha nuk është në dispozicion për t’u futur në kampionat. E shoh me shumë probleme skuadrën, unë e kam thënë që në fillim që këta janë lojtarë pa shpirt gare. Dy nga kriteret bazë që përmenda më lart janë me probleme, është vështirë  për të krijuar skuadër, pa pasur kohë dhe lojtarë. Megjithatë kjo është situata, të shpresojmë. Kupa? Edhe në kupë fillimisht do të luftojmë, pastaj duke parë duke bërë, nëse futbollistët do jenë në gjendje t’i përballojnë të dy kompeticionet”.

KASTRIOTI 2- 0 LAÇI

Shënues: Kabiru 36′ (11-m), Xhaferri 83′

KASTRIOTI: Kuka, Hoxha, Lila, Çela, Boci, Malindi, Caca, Çutra, Mziu, Marku, Kabiru. Trajner: Samuel Nikaj. (U aktivizuan: Spahija, Xhaferri, Dyca, Borshi, Lilaj, Neziri, Keqi).

LAÇI: Vata, Ademir, Qaqi, Sefgjini, Ejo, Uzuni, Jonuzi, Bardhi, Eskuerda, Bushi, Rexhinaldo. Trajner: Stavri Nica. (U aktivizuan: Vatnikaj, Kallaku, Xhixha, Smaçi, Lushkja, Fangaj, Duka)

GJYQTARË: K. Prenga, Xh. Bacaj, A. Pjetri (Laç)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *