Laçi me mision të pamundur, nuk i shënon prej 6 ndeshjesh Partizanit

0

Laçi luan sot me Partizanin, sfidë në të cilën stafi teknik nuk do të ketë në dispozicion tre lojtarë, teksa prej kartonëve mungojnë Vucaj e Shala, ndërkohë i dëmtuar është mesfushori Regi Lushkja. Trajneri Nica gjatë këtyre ditëve është parë mjaft aktiv gjatë seancave stërvitore dhe në çdo moment ka kërkuar impenjim dhe pozicion të mirë në fushën e blertë.

Këto janë edhe kërkesat e durrsakut për lojtarët e tij, teksa për “Sport Ekspres” ai është shprehur: “Në situatën ku ndodhemi, na duhet që të japim më të mirën deri në fund të kampionatit për të realizuar objektivin tonë. Impenjimi është gjëja kryesore dhe gjatë këtyre ditëve kam parë që skuadra ka dëshirë. Veç kësaj na duhet edhe orientim i mirë në fushën e lojës nga ana taktike. Jemi munduar që gjatë këtyre ditëve ta përgatitim më së miri sfidën me Partizanin, kundërshtar që dihet se ka vlera, por nuk duhet të shkojmë të dorëzuar. Skuadra duhet të bëjë lojën e vet dhe në fund gjithçka do ndahet në fushën e blertë”, u shpreh shkurtimisht trajneri Nica, i cili u rikthye në krye të bardhezinjve para ndeshjes me Kukësin, që kurbinasit e humbën në “Zeqir Ymeri”, por patën pretendimet e tyre për gjykimin në atë përballje.

Fitorja e fundit me Luftëtarin e mbajti në lojë Laçin dhe tanimë shpresohet të merret ndonjë pikë në kryeqytet. Për mënyrën se si po shkon kampionati, një pikë mund të ishte shpëtimtare për bardhezinjtë, që deri në fund të kampionatit do të presin Vllazninë dhe Teutën, ndërsa në javën e parafundit luajnë në transfertë me Flamurtarin.

Megjithatë, këto vitet e fundit Partizani është kthyer në makth për Laçin, që nuk shënon prej 6 ndeshjesh kundër të kuqve dhe nuk ka marrë asnjë pikë në 3 përballjet e këtij sezoni.

Formacioni i mundshëm i Laçit

Selmani – Lulaj, Qaqi, Gjoni, Sefgjini – Nika, Dema, Musaj – Serxhio, Jonuzi – Mensah

Bilanci PARTIZANI-LAÇI

– Ndeshje në total 33: 19 fitore Partizani, 7 barazime, 7 fitore Laçi, Golaverazhi 62-31.

– Ballafaqimi i parë: 06.10.1991, në Laç, 1-1.

– Fitorja e parë e Partizanit: 1-0, më 08.11.1992, në Tiranë.

– Fitorja e fundit e Partizanit në Laç: më 05.03.2017, 0-1 (G.Krasniqi 68’).

– Fitorja e parë e Laçit: 2-1, më 28.04.1993, në Laç.

– Fitorja e fundit e Laçit: më 30.04.2014, 2-0, në Laç.

– Barazimi i parë: më 06.10.1991, 1-1.

– Barazimi i fundit i Laçit në Tiranë: 21.08.2015, 1-1.

– Barazimi i fundit i Partizanit në Laç: 0-0, më 02.04.2016.

– Barazimi me më shumë gola: 5-5, më 21.05.20105, në Kamzë.

– Barazime radhazi: 2 ndeshje të sezonit 1991-92, 1-1 në Laç dhe 0-0 në Durrës.

– Fitorja më e thellë e Partizanit: 5-0, më 12.03.2005, në Kamzë.

– Fitorja më e thellë e Laçit: 2 herë nga 3-0, më 09.12.1995 dhe 14.09.1997.

– Ndeshja me më shumë gola: 5-5, më 21.05.2005, në Kamzë.

– Fitore radhazi të Partizanit: 6 ndeshje të periudhës 1998-2005.

– Fitore radhazi të Laçit: 1 rast, 2 ndeshje, viti 1995 (2-1 dhe 3-0).

– Fitore të dyfishta nga Partizani: 1 rast në sezonin 1998-99

(2-3 në Laç dhe 3-0 në Tiranë).

– Ndeshje në fusha asnjanëse: 6. E para në Durrës, më 16.02.1992, 0-0, e dyta më 30.10.2004, në Lezhë, 4-0 për Partizanin, e treta në Kamzë, më 12.03.2005, 5-0 për Partizanin, e katërta po në Kamzë, më 21.05.2005, 5-5, dhe e pesta në Elbasan, më 08.11.2015, 3-2 për Partizanin.

– 3 ndeshjet e këtij sezoni: 3 fitore nga Partizani. 0-2 në Laç në fazën e parë, 2-0 në Tiranë fazën e dytë dhe 0-1 në Laç, në fazën e tretë.

– Golashënuesi më i mirë për Partizanin ndaj Laçit: 10 gola Dorian Bylykbashi.

– Golashënuesi më i mirë i Laçit ndaj Partizanit: 3 gola Andi Vuthi.

– Arbitri që ka gjykuar më tepër sfidat Partizani-Laçi: 3 ndeshje Kridens Meta (Tiranë).

Statistikat: FATMIR EFICA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.