Laçi i tëri në sulm, ka edhe tifozët me vete

0

Vladimir Prenga

Flamurtari është kundërshtari që Laçi do kërkojë të kalojë me sukses sot, për t’u rikthyer te fitorja, e cila mungon që prej ndeshjes me Tiranën në javën e dytë të fazës së tretë. Humbja në Shkodër, por edhe ajo në Korçë e ndaj Partizanit në shtëpi, ka bërë që bardhezinjtë të mbeten në “ujëra të ftohta”, teksa numërojnë 22 pikë në tabelën e klasifikimit, po aq sa mysafirët nga Vlora, me të cilën ekipi i drejtuar nga Bledar Sinella do përballet sot. Gjatë seancave stërvitore është vënë re se pritet të ketë ndryshime në formacion për këtë sfidë, duke nisur nga reparti i mbrojtjes e deri në sulm. Kështu, mbrojtësi Lulaj pritet të jetë titullar, pasi e ka kaluar dëmtimin e pësuar në sfidën me Partizanin. Prej së hënës ai është stërvitur normalisht, ndërkohë që gjasat janë ta shohim atë në krahun e djathtë të mbrojtjes, për ta zhvendosur Musajn si mesfushor. Rikthehet në formacion edhe mbrojtësi Taulant Sefgjini, i cili u rikthye në merkaton e janarit dhe e nisi nga minuta e parë që në sfidën e parë të vitit me Korabin, por një dëmtim e la atë jashtë fushave të blerta për rreth dy javë. Gjendja sportive e tij ka ardhur në rritje, çka ka bërë që trajneri Sinella ta përzgjedhë për të luajtur nga minuta e parë. Sa i takon mungesave, edhe këtë javë mungojnë Çelhaka e Kanapari, ndërsa gjatë javës probleme ka pasur edhe për Nikën, por shkodrani me shumë gjasa do të jetë në fushë nga minuta e parë. Në sulm, ashtu siç kemi shkruar edhe më parë, këtë herë do të luhet me dyshen Mensah-Serxhio, prej të cilëve pritet shumë këtë herë. Një tjetër “armë” e kurbinasve në këtë ndeshje do të jenë tifozët, të cilët kthehen në stadium, pasi klubi ka vendosur të paguajë gjobën prej 5 milionë lekësh, në mënyrë që të luajë me praninë e publikut.

Bilanci Laçi-Flamurtari

– Ndeshja e parë: 29.09.1991, në Vlorë, 1-0.

– Fitorja e parë e Laçit: 1-0, më 29.11.1992, në Laç.

– Fitorja e fundit e Laçit: 1-0, më 13.12.2016, në Vlorë.

– Fitorja e fundit e Flamurtarit: 2-1, më 18.12.2016, në Vlorë.

– Fitorja e fundit e Flamurtarit në Laç: 1-0, më 05.04.2014.

– Barazimi i fundit i Flamurtarit në Laç: 1-1, më 07.12.2014.

– Fitorja më e thellë e Laçit: 4-0, më 27.03.1996.

– Fitorja më e thellë e Flamurtarit: 4-1, më 27.04.1993, në Vlorë.

– Barazime radhazi: 3 ndeshje sezonin 2011-12.

– Ndeshja me më shumë gola: 4-2 për Laçin, më 07.11.1998.

– Fitore radhazi të Laçit: 3 raste, 6 ndeshje gjithsej, në vitet 1993, 1995 e 2010-11.

– Fitore radhazi të Flamurtarit: 3 ndeshje sezonin 1996-1997.

– Përplasje për javën e 26-të: rasti i dytë . I pari në Vlorë, më 12.05.2012, 0-0.

– Ndeshje në fusha asnjanëse: 4. Në Berat 1-1, më 09.02.1992, në Patos, më 04.03.1998, 2-1 për Flamurtarin, në Shkodër, më 25.11.2011, 0-0 dhe në Peqin më 12.09.2015, 0-0.

– Dy ndeshjet e këtij sezoni: 1-1, më 22.10.2016 në Laç dhe 1-0 në Vlorë, më 18.12.2016 (shënues A.Shehaj 56’).

– Bilanci total në 38 ndeshje: 14 fitore Laçi, 11 barazime, 15 fitore Flamurtari. Golaverazhi 44-40 në favor të Laçit.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image