Laçi i plotë, rikthehen Lushkja dhe Sefgjini

0

Vladimir Prenga

Laçi prej ditës së djeshme i është kthyer përgatitjeve për ndeshjen e radhës, teksa para seancës stërvitore është zhvilluar analiza e zakonshme, në fokus të së cilës ka qenë ndeshja e fituar me Vllazninë dhe ajo e së shtunës me Flamurtarin. Kurbinasit e cilësojnë si finale edhe këtë ndeshje, ndaj do kërkojnë të mos dalin pa pikë, gjë që do t’u jepte mundësinë për të qëndruar në Superiore, sigurisht duke fituar përballjen e fundit në shtëpi me Teutën. Gjithsesi, trajneri Nica është shprehur që pas barazimit në Tiranë me Partizanin se askush nuk mund të bëjë llogari deri në fund të kampionatit mbi skuadrën që do të renditet e parafundit dhe në njëfarë mënyre ka të drejtë, pasi nëse nis e bën llogari, janë pesë skuadra që matematikisht rrezikojnë rënien në Kategorinë e Parë.

RIKTHIMET – Stafi teknik e ka të plotë grupin e lojtarëve për ndeshjen me Flamurtarin, pasi nuk ka asnjë lojtar të pezulluar apo të dëmtuar. Kështu, mbrojtësi Taulant Sefgjini e ka shlyer pezullimin prej kartonëve dhe do të jetë nën urdhrat e trajnerit Nica, duke bërë që alternativat për krahun e majtë të jenë të shumta, pasi siç dihet edhe Shala e Abraham janë opsione për stafin teknik. Një rikthim i rëndësishëm është edhe ai i Regi Lushkjes, i cili dje ka festuar edhe 21-vjetorin e lindjes. Kavajasi u dëmtua në ndeshjen me Luftëtarin në fund të pjesës së dytë, pasi mori një goditje në kokë dhe iu desh të vendoste shtatë penj për të mbyllur plagën. Gjendja e tij është e mirë dhe gjatë javës së shkuar ka punuar në palestër, ndërsa dje ai i është bashkuar grupit dhe është stërvitur normalisht, çka tregon se do të jetë një alternativë për Nicën të shtunën. Deri në këto momente Lushkja ka luajtur rregullisht titullar, teksa numëron 29 ndeshje, të cilat i ka nisur të gjitha nga fillimi.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image