Laçi e pezullon, Rexhinaldo në lot para Laskës

Sulmuesi ka dhënë llogari për denoncimin për ushtrim dhune. Presidenti Laska është ballafaquar me të dhe i ka komunikuar vendimin për stërvitje veçmas grupit

Rexhinaldo kundër Laçit, telenovela vazhdon. Sulmuesi nga Mozambiku shkoi në polici të martën për të denoncuar ushtrimin e dhunës ndaj tij, por pa sqaruar për cilët persona e kishte fjalën. Dje është mësuar se Rexhinaldo akuzonte presidentin e Laçit, Pashk Laska, i cili sipas sulmuesit ushtroi dhunë gjatë analizës për humbjen ndaj Partizanit. Edhe dje Rexhinaldo pretendonte se Pashk Laska e kishte goditur dhe e kishte pështyrë, duke e urdhëruar të largohej nga mbledhja. Pashk Laska i është përgjigjur se kërkesa e tij ishte të dilte nga mbledhja dhe u kërkoi të tjerëve ta largonin Rexhinaldon, pasi sulmuesi nuk reagonte ndaj pyetjeve të trajnerit dhe presidentit në lidhje me ndeshjen, duke kthyer kokën në krah tjetër. Debati i zhvilluar mes sulmuesit dhe presidentit është bërë nën praninën e mediave, në dritën e diellit, si i thonë fjalës, ndërsa Rexhinaldo është parë të përlotet, duke u ndjerë viktimë në këtë histori.

Laska: Nuk të kam prekur me dorë, nuk është aspak e vërtetë, përkundrazi, policia ka ardhur edhe në kompleksin stërvitor në Kamzë për të kontrolluar kamerat e sigurisë, ku nuk rezulton asnjë moment dhune apo kontakti fizik.

Rexhinaldo: Pse po trajtohem kështu? Kam ardhur në Shqipëri që të luaj futboll.

Laska: Do gjobitesh, sepse ke braktisur ndeshjen në Durrës, ke braktisur grumbullimin dhe ke munguar disa ditë në stërvitje. Edhe sot ke ardhur me vonesë.

Rexhinaldo: Erdha me vonesë sepse ishte ndryshuar orari i nisjes së autobusit me 15 minuta dhe nuk isha njoftuar. Duket sikur bëhet enkas ndaj meje kjo gjë, pse më ndodhin këto gjëra.

Laska: Edhe lojtarët e tjerë që e kishin këtë problem, e zgjidhën duke marrë taksi. Nuk është justifikim ky. Gjoba mbetet në fuqi dhe nuk preket, e shumta që mund të bëj është të harroj gjithçka dhe të kthehesh në stërvitje dhe Mezani është në dispozicion. E ke vetë në dorë.

Laska: Ke të paktën dy muaj që nuk shqetësohesh më për kauzën e Laçit dhe nuk po luan fare. Pagesat janë likuiduar të gjitha, përveç pagës së fundit, ndaj duket qartë që këtu ka neglizhencë dhe është e papranueshme që një lojtar që është më i paguari në klub, me 3000 euro neto në muaj, pa harruar taksat, të sillet në këtë mënyrë, pa harruar që klubi ka mbuluar edhe shpenzime të tjera, për bileta avioni apo për gjobat e leja e punës, të mbartura nga koha e Luftëtarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *