La Shqipërinë për Italinë, babai i Mollës: U bënë shumë padrejtësi ndaj Markos!

Marko Molla është një portier 17-vjeçar, i cili së fundmi aktivizohet tek të rinjtë e Bolonjës. I riu nga Shkodra ka vendosur që të lërë përfaqësuesen U17 të Shqipërisë, për të veshur fanellën e kësaj grupmoshe të Italisë. Molla ndodhet aktualisht me skuadrën e Italisë, por babai i tij ndodhet në Shkodër, ku ka dhënë një prononcim për “Shkodra News”.

Besniku, tregon arsyet se pse e çuan të bënte këtë zgjedhje atë dhe të birin e tij, por nuk u kursen dhe akuzat në drejtim të Federatës Shqiptare, por duke u rezervuar disi në këtë pjesë. Molla, Marko, sipas babait të tij mund të jetë pjesë e Shqipërisë në të ardhmen, ndërkohë që Besniku tregon edhe për mënyrën se si i kishte shkuar ftesa nga përfaqësuesja “axurre”.

NDRYSHIMI – “Kam dëgjuar shumë gjëra në lidhje me braktisjen e kombëtares shqiptare nga djali im dhe zgjedhjen e tij për të përfaqësuar Italinë. Askush nuk mundet të na thotë se e kemi “tradhtuar” fanellën kuqezi, sepse ju siguroj se jemi më shqiptarë se shumë shqiptarë të tjerë. Nëse për momentin vendosëm që Marko të përfaqësonte Italinë, kjo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të rikthehet sërish te Shqipëria. Rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s e lejojnë këtë gjë dhe nuk dihet se çfarë ka për të ndodhur në të ardhmen.”

ARSYET – “Djali siç e dinë të gjithë, u bënë disa muaj që ka firmosur me Bolonjën dhe këtë ua kemi treguar edhe pjestarëve të Federatës. Por që në gusht ka nisur një problem. Në grumbullimin e bërë nga kombëtarja shqiptare, nga FSHF nuk ka mbërritur asnjë ftesë zyrtare tek klubi i Bolonjës për ta lënë Marcon të lirë. Në shtator ndërkohë në grumbullimin tjetër, ai nuk mundi të vinte për shkak të disa provimeve që kishte në shkollën e re si rrjedhojë e transferimit nga një shkollë në tjetrën kur ndërroi qytet. Sakaq, për grumbullimin e tetorit për ndeshjet eliminatore, sërish u shfaq i njëjti problem. Asnjë ftesë zyrtare nga FSHF tek klubi i Bolonjës i cili nuk mund të lejonte futbollistin e tij të largohej pa një ftesë të tillë. Por Marko gjatë kësaj periudhe ka patur edhe një problem dëmtimi në dorën e tij të djathtë”.

FTESA NGA ITALIA – “Sakaq, një natë para se Italia të shpallte listën e kombëtares U17, më telefonoi një pjesëtar i kombëtares së portierëve që në fakt nuk e njihja. Më kërkoi takim dhe ai u realizua. Më tha se ishte trajneri i portierëve të kombëtares italiane të kësaj moshe dhe më bëri kërkesën për ta grumbulluar Markon me këtë kombëtare. Përgjigja ime e parë ishte se djali është ende i dëmtuar, megjithatë ai më befasoi me përgjigjen e tij kur më tha: ‘Jam në dijeni të çdo gjëje sepse kam pesë ditë që jam pas portës së tij në stërvitje. Para se të vija te ju, kam kontaktuar mjekun e ekipit të Bolonjës dhe më garantoi se problemi i ka kaluar”.

SERIOZITETI – Në fakt, u befasova për seriozitetin që shfaqi Kombëtarja italiane për djalin tim ndërkohë që e kundërta ndodhte vazhdimisht me atë shqiptare. Gjithsesi, unë kërkova edhe një tjetër vizitë të specializuar te mjekët specialistë dhe kjo u krye të nesërmen. Gjithçka ishte ‘OK’ dhe dhamë aprovimin për të qenë pjesë e kombëtares italiane”.

SHQIPËRIA – “Janë edhe disa gjëra të tjera që na bënë të marrim vendimin e mësipërm. Markos filluan t’i bëhen disa padrejtësi njëra pas tjetrës. I hoqën fanellën me numrin 1 dhe i dhanë atë me numër 12. Më pas filluan ta aktivizojnë si rezervë dhe vetëm 20 minuta në fund, pa përmendur pastaj edhe disa gjëra të tjera të cilat nuk kam dëshirë t’i përmend. Në kombëtaren shqiptare kishte interesa të ndryshme dhe e pëson ai që ka më pak njohje e lidhje. Ndokush mund të thotë se rezerva te kombëtarja italiane ka shkuar, por në fakt nga mënyra si po shkonin gjërat, më mirë rezervë te Italia, se rezervë te Shqipëria”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *